Këshilli Gjyqësor i Kosovës sot pritet të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjykatës dhe prokurorëve.
Në këtë mbledhje pritet të diskutohet lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të kryeministrit, Albin Kurti, për pagat dhe hapat që KGJK do të ndërmarrë në lidhje me këtë vendim, raporton Betimi për Drejtësi.
Kujtojmë që në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është shfuqizuar vendimi i Qeverisë Haradinaj, duke kthyer kështu pagat në sistemin e drejtësisë siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017.
“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese me ligjin e atëhershëm për paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante”, ka thënë Kurti.
Pas miratimit të Projektligjit për Pagat, Kryeministri Kurti, tha se ky projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave.
“Propozimi i sotëm i kushton rëndësi të madhe kualifikimeve. Askush nuk mund të paguhet më shumë sesa pesëfishi u pagës më të ulët në administratën tonë”, ka thënë Kurti.