Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), kanë thënë se ulja e dënimit për Pjetër Ndrecaj, që kishte vrarë bashkëshorten dhe vajzën së tij, në gusht të vitit 2018, është në kundërshtim të plotë, përveç me rrethanat e kryerjes së veprës, po ashtu edhe me rregullat e përgjithshme me të cilat parashihet zbutja apo ashpërsimi i dënimit.
Kjo organizatë shprehet se qëllimi i këtij sanksioni është rehabilitimi i kryerësit të veprës si dhe krijimi i vetëdijes publike që personat që kryejnë vepra të tilla të ndëshkohen, kurse, ulja e dënimit ndaj Ndrecajt, jo vetëm që nuk do ta rehabilitojë atë, por do të shërbejë si motiv për të tjerët që të kryejnë vepra të ngjashme, thuhet në komunikatë.
Rrjeti i Grave të Kosovës beson që Prokuroria do të ushtrojë ankesë dhe se Gjykata e Apelit do ta ndryshojë këtë aktgjykim për t’i shqiptuar dënim maksimal të pandehurit. /Gazeta Sinjali/