image Ukraina pret 'numër rekord' të sulmeve me dron këtë dimër

Botë

Ukraina pret ‘numër rekord’ të sulmeve me dron këtë dimër

news image

Ukraina po përgatitet për një dimër të dytë të sulmeve të rënda me dron, raporton sot Reuters.

Forca ajrore e Ukrainës pret një numër rekord të sulmeve me dronë rusë në tokën e saj këtë dimër, tha zëdhënësi i saj Yuriy Ihnat të dielën, ndërsa Kievi po përgatitet për një dimër të dytë të bombardimeve masive të objekteve të tij energjetike.

Ihnat tha se të dhënat për shtatorin treguan se përdorimi nga Rusia i dronëve kamikaze Shahed të projektuar nga Irani do të thyente shifrën e vitit të kaluar.

“Kjo vjeshtë dhe dimër … është tashmë një rekord për sa i përket numrit të dronëve Shahed. Mbi 500 [u përdorën] në shtator”, tha Ihnat në një intervistë në televizionin kombëtar.

Ai e krahasoi këtë numër me fushatën e sulmeve ajrore të Rusisë në Ukrainë dimrin e kaluar, kur tha se rreth 1000 drone Shahed u përdorën në gjashtë muaj.

Sulmet ndaj objekteve energjetike dimrin e kaluar dëmtuan një pjesë të konsiderueshme të sistemit energjetik të Ukrainës dhe detyruan shumicën e qyteteve të racionojnë energjinë elektrike dhe ujin e nxehtë.

Pavarësisht se Ukraina forcon mbrojtjen e saj ajrore, zyrtarët kanë paralajmëruar për rrezikun e një përsëritjeje këtë dimër, me rrjetin elektrik ende larg rindërtimit pas fushatës së fundit të bombardimeve.

/GazetaSinjali/