image Ukraina kërkon ndihmë nga agjencia e OKB-së për uzinat bërthamore

Botë

Ukraina kërkon ndihmë nga agjencia e OKB-së për uzinat bërthamore

news image

Rregullatori bërthamor i Ukrainës i ka bërë thirrje Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) që t’i ndihmojë në sigurimin e uzinave të saj bërthamore, pasi nisja e pushtimit rus ka rritur shqetësimet për sigurinë e centraleve bërthamore.

Drejtori i përgjithshëm i ANEB-it, Rafael Grossi, tha më 2 mars gjatë një mbledhjeje urgjente të kësaj organizate të Kombeve të Bashkuara, se po punon “me të gjitha palët” për të shikuar sesi uzinat dhe stafi i tyre mund të mbështeten.

“Meqenëse këto konsultime janë duke vazhduar, unë nuk jam në gjendje që të tregojë se çfarë lloji ose kur do të jepet kjo ndihmë”, tha ai në një konferencë për media, duke shtuar se ndihma mund të përfshijë edhe dërgimin e ekspertëve të ANEB-it, megjithëse ky opsion ka pak gjasa të ndodhë në një periudhë të afërt.

“Të kesh qasje në atë që në të vërtetë është një zonë lufte do të ishte diçka jashtëzakonisht delikate”, tha Grossi.

Grossi ka raportuar më herët se forcat ruse kanë marrë kontrollin e stacionit të energjisë bërthamore në Zaporizhzhia, që është uzina më e madhe e Ukrainës, nga katër sa ka gjithsej ky shtet. Ai tha se për këtë është njoftuar nga diplomatët rusë përmes një letre.

Si Moska ashtu edhe Kievi ka thënë se uzina në Zaporizhzhia dhe uzinat e tjera të energjisë bërthamore në Ukrainë janë duke operuar normalisht.

Shqetësimet për sigurinë e uzinave bërthamore janë rritur që prej se Moska nisi pushtimin më 24 shkurt. Grossi ka përsëritur paralajmërimin e tij se mund të ketë rrezik të një incidenti serioz bërthamor teksa luftimet po vazhdojnë.

“Veprimi më i mirë për të garantuar sigurinë e objekteve bërthamore të Ukrainës dhe popullit të saj është që ky konflikt i armatosur të përfundojë tani”, tha ai.

Deri më tani, si pasojë e luftës është raportuar për dëme në dy depo të mbetjeve bërthamore. Forcat ruse po ashtu kanë marrë kontrollin e uzinës së çmontuar bërthamore të Çernobilit, raporton REL.

Në Çernobil është raportuar për rritje të rrezatimit, për shkak se lëvizjet e makinave të rënda ushtarake kanë ngritur në ajër pluhurin radiokativ.

Më 1986, në Çernobil kishte shpërthyer një prej reaktorëve, duke kontaminuar pjesë të mëdha të Ukrainës dhe Bjellorusisë, që çoi në krijimin e një zone të ndaluar, që është rreth 2,600 kilometra katrorë.

Centrali i Çernobilit, që ende është radioaktive, gjendet rreth 130 kilometra larg Kievit.

/GazetaSinjali/