Ukraina ka hedhur poshtë sugjerimin e presidentit brazilian Luiz Inacio Lula da Silva që të heqë dorë nga Krimea për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, e cila aneksoi gadishullin në 2014.
Agjencia franceze e shtypit Agence France-Presse (AFP) citon Oleg Nikolenko, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, të ketë thënë:
“Nuk ka asnjë arsye ligjore, politike apo morale që do të na justifikonte që të dorëzojmë qoftë edhe një centimetër tokë ukrainase. Çdo përpjekje ndërmjetësimi për të rivendosur paqen në Ukrainë duhet të bazohet në respektimin e sovranitetit dhe në rivendosjen e plotë të integritetit territorial të Ukrainës.”
Të enjten, Lula tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, “nuk mund të merrte gjithçka” dhe sugjeroi se Ukraina mund të heqë dorë nga Krimea për të filluar diskutimet e paqes.
Lula ka lëshuar një propozim të paqartë për t’i dhënë fund konfliktit të Ukrainës, që pritet të diskutohet gjatë një udhëtimi javën e ardhshme në Kinë, i cili gjithashtu ka paraqitur një plan. Ai ka propozuar krijimin e një grupi vendesh për të ndërmjetësuar në luftën në Ukrainë.
Udhëheqësi brazilian tha se ishte “i sigurt” se ky grup “do të krijohej” pas udhëtimit të tij.