image Ukraina akuzon rusët se kanë hapur zjarr ndaj protestave civile në Novopskov

Botë

Ukraina akuzon rusët se kanë hapur zjarr ndaj protestave civile në Novopskov

news image

Kreu i administratës rajonale të Luhansk, Sergiy Haidai, ka thënë se trupat ruse kanë hapur zjarr ndaj protestuesve civilë në qytetin e vogël Novopskov në Ukrainën verilindore.

“Njerëzit u përpoqën të ndalonin rusët, por ata hapën zjarr ndaj protestuesve të paarmatosur. Ka tre të plagosur, të cilët gjenden në spital.”, ka thënë Haidai, raporton CNN – transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas CNN, në rrjete sociale është publikuar një video, ku shihet se të paktën një burrë është goditur me armë zjarri, teksa po protestonte kundër ushtrisë ruse.

Raportohet se protestuesi ka rënë në tokë dhe është plagosur në këmbë.

U dëgjuan disa të shtëna sporadike dhe më pas pasuan një breshëri zjarri me armë të vogla ndërsa turma shpërndahej. Është e paqartë nëse të shtënat janë drejtuar drejt apo mbi turmën.

Videot shtesë nga vendi i ngjarjes tregojnë se përpara se burri të qëllohej, ushtria ruse qëllonte me armë – duke mos goditur protestuesit – dhe jepte të shtëna paralajmëruese. 

Një nga videot, e marrë para se protestuesi të goditet, tregonte turmën duke ecur përpara drejt trupave ruse, të cilat kanë ngritur kampin në një treg të hapur, të rrethuar nga dyqane ushqimore dhe dyqane në qendër të qytetit. 

Pavarësisht të shtënave me armë, turma nuk lëvizi.

/GazetaSinjali/