Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin për krime të rënda është mbajtur seanca gjyqësore për rastin ndaj të dyshuarve për keqpërdorim me viza italiane, grup në të cilin është edhe Ukë Rugova, ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, Qefser Bahollit, Izet Beqirit dhe Florian Petanit.
Kryetarja e trupit Gjykues, Fatime Dermaku, ka lejuar që në seancë të marrin pjesë edhe mediat me arsyetimin se interesimi është i madh, kjo duke iu përgjigjur avokatit Besnik Berisha.
“Në këtë seancë janë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre. Ne e konstatojmë se mbahet shqyrtimi gjyqësor që është i hapur për publikun lejohet incizimi me kamera. ..avokat kemi transparencë dhe interesi i publikut është i madh”, tha ajo.
Kurse avokati Besnik Berisha, që mbron Izet Beqirin, tha se kanë shprehur vërejtje edhe me shkrim sa i përket evidentimit të mediave dhe personave që nuk janë palë në procedurë.
“Asnjë nga vëzhguesit, mediat nuk kanë vend në proces verbal. Seanca është publike po statusi është i njëjtë, por Kodi thotë pjesëmarrjen e palëve”, tha avokati.
Më pas të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat rëndohen.
Prokurorja Florije Shamolli, tha se nga provat që do të administrohen në shqyrtimin kryesor do të dëgjohen 77 dëshmitar, raporton ekonomiaonline.
Tutje Shamolli tha se Ukë Rugova së bashku me të tjerët iu ka mundësuar të tjerëve viza italiane Schengen me çmim prej 4 mijë euro për person.
“Nga provat qe do të administrohen në shqyrtimin kryesor do të dëgjohen 77 dëshmitarë të cilët do të dëshmojnë se i akuzuari Ukë Rugova së bashku me të tjerët ju ka mundësuar rregullimin e vizave italiane Schengen që klientët kanë paguar shumë të ndryshme deri në 4 mijë euro”.
“Aplikacionet për këta klientë gjatë një kontrolloi u gjetën në shtëpinë e të akuzuarit Ukë Rugova, ndërsa i akuzuarit Florian Petani i ka luajtur rolin për sigurimin e vizave Schengen e të cilat janë dhënë në mënyrë të paligjshme dhe i njëjti përmes komunikimeve të drejtpërdrejta ka biseduar me të akuzuarin Ukë Rugova dhe Izet Beqirin. Provat që do të administrohen siç janë nga përgjimi i telefonave mobil nga vëzhgimi. Mbi bazën e këtyre Gjykata të njëjtin do t’i shpallë fajtorë dhe do t’i dënojë me dënim sipas ligjit”, tha Shamolli.
Avokati i Ukë Rugovës, Teki Bokshi tha se nga rezultati i hetimit do të vërtetohet se është shkelur norma juridike.
“Pasi që kemi të bëjmë me rifillimin e shqyrtimit gjyqësor për shkak të ndryshimeve të trupit gjykues, unë mbetëm pranë fjalës hyrëse duke shtuar se mbrojtja do të fokusohet se nga rezultati i hetimit jo vetëm se nuk mund të vërtetohet se i mbrojturi ka kryer vepra penale të përfshira në aktakuzë, por do të vërtetohet se është shkelë norma juridike. Do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit tim”, tha ai.
Ndërsa i pandehuri Ukë Rugova e ka mbështetur fjalën hyrëse të mbrojtësit të tij.
Avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqirit tha se aktakuza ka pasur për cak familjen Rugova.
Ai tha se emëruesi i përbashkët i dëshmive të këtyre dëshmitarëve është se asnjëri nga ta nuk e kishte kaluar kufirin ilegalisht.
“Aktakuza kishte për cak familjen Rugova dhe familjen e tij, prokuroria synon t’i dëgjojë 77 dëshmitarë të cilët do të provojnë që Ukë Rugova dhe të tjerët si grup i inkriminuar kriminal se kanë kryer veprën kriminale, por edhe prokuroria është në dijeni se shumica dërmuese e 77 dëshmitarëve kanë dëshmuar para kësaj gjykate se cila palë ka pasur të drejtën”.
“Do të provohet se i vetmi organ që e kishte këtë të drejtë ishte ambasada, përkatësisht ambasadori që pavarësisht pretendimeve që dëgjoni nga prokuroria se gjëja aplikantët për viza do të duhej të kishin me vete kontrata puna, sigurim shëndetësor, para të deponuara në llogari bankare, ky faj nuk është i vërtetë dhe nuk është në përputhje me rregulloren e propozuar si provë”, u shpreh Berisha.
I akuzuari Florian Petani, tha se për të njëjtat vepra akuzohet edhe në Itali, ku ka shtuar se as prokuroria e Kosovës dhe as e Italisë nuk janë dakorduar se cila të merret me të.
“Avokati Avdullah Hoti është mbrojtës në gatishmëri. Proceset verbale e shqyrtimit gjyqësor më duhet t’i dërgojë edhe në Itali ku unë po ndiqem penalisht për të njëjta vepra penale dhe të njëjtat fakte. Mbi të gjitha në kundërshtim me nenin 6 të ligjit, as prokuroria në Itali dhe Kosovë nuk e morëm mundin që të koordinohen mes tyre dhe të vihen dakord se cili juridiksion të merret me mua”. /Gazeta Sinjali/