image Ujësjellësi njofton se kur do të rikthehet furnizimi me ujë në qendër të qytetit, "Dardani" dhe "Kalabri"

Sociale

Ujësjellësi njofton se kur do të rikthehet furnizimi me ujë në qendër të qytetit, “Dardani” dhe “Kalabri”

news image

Kompania e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë për shkak të një defekti në dy pika kyçe, në rrugën “Garibaldi” në qendër të qytetit dhe te “Santea” në lagjen “Dardania” në kryeqytet, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas ujësjellësit, punimet në sanimin e këtij defekti po vazhdojnë pandërprerë dhe se rikthimi i furnizimit me ujë parashihet rreth orës 18:00 – 18:30.

Nga punimet në këtë pjesë, nga ujësjellësi thonë se janë prekur edhe qendra e qytetit dhe lagjja “Kalabria”.

Zëdhënësja në KRU “Prishtina”, Arieta Mjeku, për Gazetën Sinjali tha se edhe në lagjen Kalabria furnizimi me ujë do të rikthehet shumë shpejt.

KRU “Prishtina” apelon që në momentin që vjen uji, qytetarët t’i lënë rubinetat hapur për pak kohë, pasi që është e domosdoshme kur ka punime në rrjet.

Problemet e vazhdueshme me furnizim gjatë kësaj jave në lagjen “Mati 1”, Mjeku tha se janë shfaqur për shkak të turbullirës së ujit të Liqenit të Badovcit nga reshjet dhe vërshimet e fundit.

Ndërsa në lagjen Mati 1, disa ditë ka pasë probleme, qytetarët kanë qenë të njoftuar për zvogëlimin e kapacitetit prodhues nga sistemi i Badovcit, për shkak të turbullirës që është shfaqë në liqe dhe pamundësisë për ta përpunuar. Por, sot nuk kemi ndonjë ankesë nga ajo lagje, me përjashtim të ndonjë kati të lartë të ndërtesave”, thuhet në përgjigjen e saj./Gazeta Sinjali/