Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka arritur të rikthejë në punë impiantin e Liqenit të Badocit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas ujësjellësit, uji është ndërprerë për shkak të nivelit jashtëzakonisht të lartë të turbullirës në këtë liqen.
“Për shkak të nivelit jashtëzakonisht të lartë të turbullirës në Liqenin e Badovcit dhe pamundësisë për të trajtuar atë, mbrëmë u detyruam që të ndërpresim në tërësi trajtimin e ujit nga ky Impiant Trajtimi. Stafi i ITUP Badovc nën udhëheqjen e Drejtores Teknike së bashku me stafin, departamentin për kualitet të ujit për pije, arritën tani ta rikthejnë ne punë, mirëpo me kapacitet minimal”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtinës”.
Pavarësisht funksionalizimit me alternativa tjera teknike, për t’iu furnizuar sadopak me ujë nga linjat tjera, ujësjellësi njofton se zonat e larta mbesin pa ujë, përveç zonave te ulëta në lagjen Mati.
Sidoqoftë nga ujësjellësi thonë se ekipet e tjera teknike janë në terren duke punuar në të gjitha drejtimet.
“Pa ujë të pijshëm janë shumica e zonave që furnizohen me ujë nga ITUP Badoc: Graçanica, Hajvalia, Veterniku, Mati 1/ Matiqani (pikat e larta), Bregu i Diellit”, njofton ujësjellësi.
Rikthimi i furnizimit me ujë në shumicen e lagjeve, sipas KRU “Prishtinës” , pritet të bëhet pas orës 15:00.
“Do të ju mbajmë vazhdimisht të informuar, varësisht nga situata në të cilën do gjendemi me kualitet te ujit në burim. Në varësi të mundësive me kapacitet trajtuese, do ngritet gradualisht kapaciteti trajtues në ITUP, ndërsa rikthimi i furnizimit për shumicën e zonave pritet pas orës 15:00”, përfundon njoftimi./Gazeta Sinjali/