image Udhëheqësit botërorë përgëzojnë Biden për fitore në SHBA

Botë

Udhëheqësit botërorë përgëzojnë Biden për fitore në SHBA

news image

Pas heshtjes disa ditore, duke preferuar të mos bënin komente për zgjedhjet presidenciale amerikane, udhëheqës botërorë, përfshirë Kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel përgëzuan Joe Biden dje pasi u njoftuan rezultatet e votimeve në Pensilvania duke e nxjerrë atë si fituesin e pritshëm në garën presidenciale.

“SHBA janë aleati ynë më i rëndësishëm dhe unë mirëpres bashkëpunimin e ngushtë mbi përparësitë e përbashkëta që nga ndryshimet klimatike, tek tregtia dhe siguria,” tha Johnson në një deklaratë të nxjerrë nga zyra e tij.

Udhëheqësi britanik përgëzoi gjithashtu edhe zonjën Kamala Harris, e cila pritet të marrë detyrën e nënpresidentes amerikane, për “arritjen historike,” siç u shpreh ai. Zonja Harris, me një baba xhamajkian dhe nënë indiane është e para grua me ngjyrë që konkurronte në dyshen përfaqësuese të një partie kryesore në zgjedhjet presidenciale.

Në mes të javës, Johnson nuk pranoi të bënte komente për zgjedhjet, duke mos përfillur presionin e partive opozitare britanike që të komentonte lidhur me thirrjet e Presidentit Trump për ndaljen e numërimit të votave në disa shtete.

“Ne, si qeveri britanike, nuk komentojmë për proceset demokratike të miqve e aleatëve tanë,” tha ai.

Disa nga përkrahësit e presidentit shprehën irritim nga reagimi i udhëheqësve botërorë.

“Këto komente të parakohshme me urime për Biden nga udhëheqës botërorë janë ndërhyrje të qëllimshme në zgjedhje,” komentoi në Twitter, Kyle Shideler, analist në Qendrën për Politika Sigurie, një organizatë pro-Trump me seli në Washington. “Është mëse e papërshtatshme që këta udhëheqës të komentojnë në këto momente,” tha ai.

Ndër udhëheqësit e parë që komentuan ishte Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, duke thënë “Kanadaja dhe Washingtoni gëzojnë një marrëdhënie të jashtëzakonshme, unike në skenën botërore. Ne ndajmë kufij gjeografikë, interesa të përbashkëta dhe lidhje të afërta personale, si dhe shkëmbime tregtare që na bëjnë miq, partnerë dhe aleatë”.

Ai shtoi, “mirëpres bashkëpunimin me presidentin e zgjedhur Joe Biden, nënpresidenten e zgjedhur Harris, administratën e tyre dhe Kongresin amerikan, në përballjen bashkërisht me sfidat më të mëdha globale”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se mirëpret “bashkëpunimin në të ardhmen” mes dy vendeve, duke shtuar, “Miqësia jonë transatlantike është e pazëvendësueshme, nëse synon t’u përgjigjesh sfidave më të mëdha të kohës”.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron po ashtu përcollën përgëzime.

“Kemi shumë sfida për të kapërcyer. Të punojmë së bashku,” tha Macron.

“Mirëpresim bashkëpunimin me ju për të zgjidhur problemet që kemi përpara,” tha kryeministri spanjoll.

Në Afganistan, Presidenti Ashraf Ghani përgëzoi Biden dhe zonjën Harris me një koment në Twitter ku shkruante, “Afganistani mirëpret vazhdimin/thellimin e partneritetit tonë strategjik të shumëfishtë me Shtetet e Bashkuara, partneri ynë themelor, përfshirë në luftën kundër terrorizmit dhe vendosjen e paqes në Afganistan”.

Në një letër në adresë të Biden, udhëheqësi shpirtëror Dalai Lama e përshëndeste presidentin e zgjedhur amerikan duke shkruar, “Njerëzimi ushqen shpresë të madhe në vizionin dhe udhëheqjen demokratike të Shteteve të Bashkuara. Në veçanti në këto kohë të vështira, shpresoj që të jeni në gjendje të kontribuoni për t’i dhënë formë një bote paqeje, ku njerëzit që vuajnë nga varfëria dhe padrejtësia të gjejnë çlirim. Nevoja për t’iu përgjigjur këtyre problemeve, si dhe ndryshimeve klimatike, është vërtetë urgjente”.

Dalai Lama lavdëroi faktin që Biden kishte zgjedhur një grua si zëvendësen e tij.

Disa udhëheqës nuk janë shprehur ende me urime. Presidenti i Meksikës, Lopez Obrador tha të shtunën se donte të priste deri kur të zgjidheshin të gjitha sfidat gjyqësore.

As Arabia Saudite nuk ka ofruar përgëzime. Edhe Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka qëndruar i heshtur.

Gjatë fushatës së ndezur zgjedhore në Shtetet e Bashkuara shumë udhëheqës botërorë u treguan të matur në komente, me frikën se mund të irritonin fituesin e ardhshëm. Edhe udhëheqës që kanë pasur lidhje më të ngushta me Presidentin Trump si Kryeministri izraelit Netanyahu dhe homologu i tij indian, Narendra Modi u kursyen në komentet e tyre për Trumpin.

Një ndër të paktët që foli në mbështetje të fushatës së presidentit për një mandat të dytë ishte Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili në një artikull opinion shkruante se shpresonte “për një tjetër fitore të Trump, sepse ne e njohim mirë politikën e jashtme të administratave demokratike që bazohen tek imperializmi moral. E kemi provuar, me gjithë peshën e saj. Nuk na pëlqeu dhe nuk e duam përsëri”.

Udhëheqës të tjerë nacionalistë, përfshirë presidentin e Polonisë, qëndruan në heshtje.

Mesazhe urimesh erdhën dje edhe nga udhëheqës të Holandës, Katarit, Egjiptit, Libanit, Ukrainës, Norvegjisë dhe Greqisë.

Kryeministri irlandez Micheal Martin, tha: “Irlanda krenohet me zgjedhjen e Joe Bidenit, ashtu siç krenohemi me breza të tërë grash e burrash irlandezë, etrit e të cilëve derdhën djersë e talent për të ushqyer larminë dhe fuqinë e Amerikës”.

Paraardhësit e Biden janë me origjinë nga Irlanda dhe Anglia. /Gazeta Sinjali/