Koronavirusi po vazhdon të shkaktojë viktima në pjesë të ndryshme të botës. Pas regjistrimit të vdekjes së parë nga virusi i ri në Shtetet e Bashkuara, e njëjta gjë u konfirmua edhe në Australi dhe Tajlandë. Ndërkohë në Japoni është shënuar vdekja e dytë.
Shtetet e Bashkuara e konfirmuan vdekjen e parë. Viktima ishte një burrë në të pesëdhjetat na Seattle, i cili kishte edhe probleme të tjera shëndetësore. Ai nuk kishte histori të udhëtimit në zonat e prekura dhe nuk kishte kontakte me persona të konfirmuar si të infektuar. Uashingtoni tashmë e ka shpallur gjendjen emergjente.
Cilat janë zhvillimet e fundit rreth koronavirusit në pjesë të tjera të botës?
Në Australi, nga koronavirusi Covid-19 vdiq një burrë 78-vjeçar, i cili kishte qenë pasagjerë në anijen “Diamond Princess”, ku u regjistruan qindra raste të infektimeve në ujërat e Japonisë. Ai vdiq në qytetin Perth, ndërsa merret vesh se edhe bashkëshortja e tij është infektuar.
Në Kinë, dy mjekë vdiqën në 24 orët e kaluara, kur u shënuan edhe 33 viktima të tjera. Tash, numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga koronavirusi në Kinë ka shkuar në 2870. Për më tepër, u regjistruan edhe 573 raste të reja të infektimeve, duke e çuar në 79 mijë e 824 shifrën e përgjithshme të personave të infektuar. Sipas autoriteteve, 52 për qind e tyre tashmë janë shëruar.
Koreja e Jugut i regjistroi 376 raste të reja, ndërsa 17 persona kanë vdekur. Në këtë shtet, deri më tash janë infektuar me koronavirus 3526 persona, shkruan “The Guardian”.
Në Tajlandë u raportua rasti i 42-të i infektimit, ndërsa rasti i parë u shënua në Armeni.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka ngritur nivelin e alarmit në shkallën “shumë i lartë”. /Gazeta Sinjali/