image U zhduk më 8 prill, ky është personi që dyshohet se e ka rrëmbyer Bedri Rexhepin

Siguri

U zhduk më 8 prill, ky është personi që dyshohet se e ka rrëmbyer Bedri Rexhepin

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti për Krime të Rënda ka paraqitur kërkesë në gjykatën e këtij rajoni për caktimin e masës së paraburgimit kundër 46-vjeçarit nga Prishtina, Jeton Vlasaliut, i cili dyshohet për veprën penale “Rrëmbim”, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

“Për të dyshuarin, ju konfirmojë se me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë. Po ashtu, më 14.4.2021, prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit, në drejtim të veprës penale ‘Rrëmbimi'”, tha ajo.

Burime të Gazetës Sinjali brenda kësaj prokurorie kanë bërë të ditur se 46-vjeçari po dyshohet se është i përfshirë në rrëmbimin e Bedri Rexhepit, i cili është raportuar i zhdukur që nga 8 prilli i këtij viti.

Askush nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen dhe gjendjen shëndetësore të Rexhepit që nga mbrëmja e 8 prillit, nga kur ai nuk u është përgjigjur as thirrjeve.

Ndërsa, më 9 prill vetura e tij është gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë.

Në kërkesën e siguruar nga Gazeta Sinjali thuhet se deklarata e Jeton Vlasaliut që e ka dhënë në polici është krejtësisht kontradiktore me gjendjen faktike që ka rezultuar nga hartografia e telefonit të tij.

Pasi që nga hartografia e telefonit të tij, në këtë dokument, thuhet se Vlasaliu ditën e zhdukjes së Rexhepit ka qenë në Llabjan dhe Slivovë, Sllatinë dhe Babush, Konjuh dhe Lipjan, si dhe Hajvali, por i njëjti në polici e ka mohuar se ka vizituar këto lokacione.

Prokuroria dyshon se rrëmbimi i Rexhepit mund të jetë kryer në ndonjërin nga lokacionet e lartcekura, pasi që vetura e tij është gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë.

Prokurori i rastit ka arsyetuar kërkesën e paraburgimit, duke thënë se ekziston dyshimi për të besuar se nëse Vlasaliu gjendet në liri, ai do ët pengojë rrjedhën e procedurës, duke ndikuar te dëshmitarët dhe për shkak se ka arsye për të besuar se ai mund t’i asgjësojë faktet dhe të ndryshojë provat.

Paraburgimi i është caktuar edhe për shkak të peshës së veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer kjo vepër.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/