Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Saudin Maliqi ka falënderuar Kryeministrin e vendit, Avdullah Hotin, për vizitën në Klinikën Infektive bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, shkruan Gazeta Sinjali.
“Falënderoj kryeministrin dhe ministrin për mobilizim të shkallës së lartë. Ju sigurojmë që situata është nën kontroll. Kemi përkrahjen e kryeministrit dhe ministrit për çfarëdo që na duhet që do të jenë pranë nesh”, tha Maliqi gjatë një prononcimi për media.
Tutje, Maliqi u shpreh se po bëjnë përpjekje maksimale në luftën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Ne do të informojmë për rrjedhën dhe mënyrën e menaxhimit dhe sfidat. Po bëjmë përpjekje maksimale dhe falënderoj të gjithë punëtorët shëndetësor që janë në nivel të lartë të detyrës”, tha ai.
Ndryshe, Maliqi është duke zëvendësuar në detyrë Valbon Krasniqin, i cili ka dalë pozitiv me COVID-19 ditë më parë dhe aktualisht ndodhet në vetizolim. /Gazeta Sinjali/