image U caktohet paraburgimi dy të dyshuarve për vrasjen e 15-vjeçarit dhe plagosjen e babait të tij në Drenas

Drejtësi

U caktohet paraburgimi dy të dyshuarve për vrasjen e 15-vjeçarit dhe plagosjen e babait të tij në Drenas

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve 54-vjeçarit, Xhafer Bardiqi dhe djalit të tij 19-vjeçar A.Bardiqi, për veprën penale “Vrasje të rëndë”, raporton Gazeta Sinjali.

54-vjeçari dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe për “Mbajtje, pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve”. Ndërkaq, i biri i tij 19-vjeçar dyshohet për veprën penale “Ndihmë për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, dy të dyshuarve u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji për secilin veç e veç, përkatësisht prej datës 6 prill 2021 dhe do të zgjasë deri më datë 6 maj 2021.

Sipas njoftimit të gjykatës, Xhafer Bardiqi, më 6 prill të këtij viti, pasi që kishte dëgjuar një motorsharrrë duke prerë dru në zabel, me vete kishte marrë djalin e tij, të dyshuarin tjetër dhe një pushkë gjuetie dhe me veturë kishin shkuar në vendin e ngjarjes, në zabel.

Aty, 54-vjeçari dyshohet se me pushkë gjuetie ka vrarë 15-vjeçarin, A.Muja, ndërsa ka plagosur rëndë babain e viktimës, Bekim Mujën, i cili momentalisht është në gjendje kome në QKUK, pas një intervenimi që i është bërë në tru dhe gjendja e tij vazhdon të jetë kritike.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktvendimi pas marrjes së të njëjtit, në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. Mirëpo, ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/