Policia në raportin 24-orësh të premten raportoi për arrestimin e një personi për të cilin dyshohej se ka ofenduar dhe fyer një zyrtar policor, rreth orës 20:05 në fshatin Kosharishtë të Istogut.
Mirëpo, në redaksinë e Gazetës Sinjali është lajmëruar vëllai i personit të apostrofuar si i dyshuar në këtë rast.
Albert Palokaj, vëllai i Robert Palokaj, ka një version tjetër për këtë ngjarje.
Ai pretendon se zyrtari policor, Avni Morina, ka tërhequr zvarrë vëllain e tij dhe kur ai ka tentuar të incizojë këtë moment, polici ka nxjerrë armën zyrtare, duke e kërcënuar se do e gjuajë.
“Veç për çka e ka lon kerrkin këtu në bjeshkë, veç për çka, shtyje kerrin, e shtyni vllaun, direkt u shku ia ka qelë derën vallaut, e ka kap me durë, ‘mos më prek, se s’bona kurgjo’, anej knej. ‘Jo ta boj kshtu’, vllau ka bërtit, m’u ka drejtu, m’ka thonë, ‘incizo qita’. M’u ka drejtu polici, më ka thonë ‘mos gabo me e prekë telefonin, se të gjuj me armë’ dhe i thash ‘jo, jo, nuk gjun me armë’. Edhe ashtu, ai polic është i njoftun. Muni me bo pytje gjithkund, ai polic është i njoftun për krejt Gjurakocin”, tha ai për Sinjalin.
Madje, lidhur me këto ankesa, ai thotë se të premten në mesnatë bashkë me vëllain e tij kanë bërë ankesë në Inspektoratin e Policisë së Kosovës.
Se vëllezërit Palokaj kanë deponuar ankesë kundër zyrtarit policor, Avni Morinës, për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga IPK.
Nga ky inspektorat për Sinjalin kanë thënë që ankesa është pranuar me 12 gusht përmes linjës së kaltër.
“Ju konfirmojmë se IPK me datën 12.8.2021, përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar ankesën e qytetarit ndaj zyrtarit policor, Avni Morinës, ku ankuesi është udhëzuar për mënyrat e paraqitjes se ankesës si me shkrim në IPK apo në Stacionin ma të afërt Policor. Nga Policia e Kosovës respektivisht nga Stacioni Policor në Istog, DRP-Pejë, jemi informuar se qytetari kishte parashtruar ankesë ndaj zyrtarit policor dhe të njëjtën, bazuar në mandatin ligjor, do ta procedojnë në IPK”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Si nisi e gjithë ngjarja dhe si erdhi deri te konfrontimi?
Sipas Albert Palokajt, e gjithë ngjarja mbrëmjen e së premtes filloi kur polici Avni Morina kërkonte të dinte se pse vëllai i tij e kishte lënë veturën në bjeshkë, duke i kërkuar të njëjtit që ta shtynte atë më tutje.
Pasi Robert Palokaj ka vepruar ashtu siç i ka kërkuar zyrtari policor, Morina, ky i fundit ishte afruar te dera e veturës së Palokajt dhe të njëjtin e kishte kapur me duar për ta tërhequr më pas zvarrë.
Albert Palokaj thotë se vëllai i tij më pas i kishte thënë policit që të mos e prekë me duar sepse nuk ka bërë asgjë dhe njëkohësisht i kishte kërkuar Alberitit që ta incizonte ngjarjen.
Por, ky veprim i Robert Palokaj sipas Albert Palokajt e kishte revoltuar policin Avni Morina, pasi që ky i fundit i kishte thënë Albertit që të mos e nxirrte telefonin sepse përndryshe do ta gjuante me armë.
Palokaj thotë se sjellja e zyrtarit policor, Avni Morina, nuk është e rastësishme, kjo sepse ky i fundit ka një problem me dikë nga fshati Gjurakoc i Istogut që ka të njëjtin mbiemër sikurse Palokaj.
Sipas Palokajt ekzistojnë edhe raste të tjera kur zyrtari policor Avni Morina ka thënë se “juve katolikëve kanë vyft me ju pre në qafë”.
Palokaj thotë se kur kishte shkuar në stacionin policor të Istogut një nga policët e atij stacioni, emrin e të cilit Palokaj nuk e di, i kishte thënë atij se ka kohë që ia kanë tërhequr vërejtjen Morinës, mirëpo ky i fundit prapë vepron siç do vet.
“Në stacionin e policisë më ka dalë një polic tjetër dhe më ka thënë burrë e di që po gutet, i kemi bërtitë, s’bënë qështu, po po a bënë të veten, s’po kemi çka me i bo”, tregon Palokaj për Sinjalin se çka ka biseduar me zyrtarin policor në stacion.
Palokaj tha se ankesën në Inspektoratin Policor të Kosovës e kanë bërë të premten rreth orës 00:00 në stacionin policor në Istog, si dhe njëkohësisht kanë njoftuar dhe ambasadën amerikane, pasi që vëllai i tij, Robert Palokaj, ka nënshtetësi amerikane.
Gazeta Sinjali ka siguruar një video nga momenti i arrestimit të Robert Palokaj, ku dëgjohet biseda ndërmjet zyrtarit policor, Avni Morina, kolegut të tij dhe Albert Palokajt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/