image U arrestua dhe më pas u lirua/ Banorët e Rakovinës në Gjakovë në hall me bashkëfshatarin, pengon punimet për parkun e fshatit

Siguri

U arrestua dhe më pas u lirua/ Banorët e Rakovinës në Gjakovë në hall me bashkëfshatarin, pengon punimet për parkun e fshatit

news image

Gazeta Sinjali ka raportuar para disa ditësh për disa incidente që po ndodhin që disa herë në fshatin Rakovinë të Gjakovës. Për rastin e fundit, u desh edhe intervenimi i Policisë, me ç’rast arrestuan të dyshuarin Gani Kelmendi, me të cilin edhe sot bashkëfshatarët kanë raportuar se po kanë telashe.

I dyshuari, Gani Kelmendi ishte arrestuar me datën 24 qershor, për veprat penale “Kanosje” “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. I njëjti ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.

Siç mëson Sinjali, pas lirimit, ai prapë ka shkaktuar telashe për banorët e fshatit, gjë për të cilën është dashur të ndërhyjë Policia e Kosovës.

Banorët e fshatit Rakovinë të Gjakovës, kanë denoncuar rastin në Gazeta Sinjali, duke thënë se 39-vjeçari po pengon në realizimin e projektit të parkut të fshatit.

Sipas tyre, ai po pengon punimet e planifikuara për parkun e fshatit, duke vendosur ushqimet e kafshëve të fermës si dhe mjete të tjera në rrugë.

Në redaksi janë dërguar edhe pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet bllokimi i rrugës nga mjetet e punës.

Tek pjesa ku duhet të vendosen mjetet e kanalizimit dhe ujësjellësi, sipas sinjalizuesve, bashkëfshatari i tyre ka vendos sillazhin, që ka shkaktuar ngecje në realizimin e projektit për parkun e fshatit.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Policinë e Kosovës në rajonin e Gjakovës, për tu informuar me detaje të reja lidhur me rastin, por të njëjtit për momentin kanë qenë të paqasshëm.



Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/