image Kush është 39-vjeçari që u arrestua në Rakovinë të Gjakovës, dëmtoi një kamion dhe kërcënoi shoferin

Siguri

Kush është 39-vjeçari që u arrestua në Rakovinë të Gjakovës, dëmtoi një kamion dhe kërcënoi shoferin

news image

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për një incident që ndodhi në mes të disa qytetarëve, në Rakovinë të Gjakovës, për shkak të punimeve që po kryente një kompani në rrugët e fshatit. Përleshja, motivi i së cilës dyshohet të jetë një kontest pronësor, eskaloi në sulm, për çka u desh intervenimi i Policisë.

Një patrullë policore që doli në vendin e ngjarjes arrestoi 39-vjeçarin Gani Kelmendi, i cili po dyshohet për veprat penale “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka dëmtuar kamionin e kompanisë që ishte kontraktuar për t’i kryer punimet, duke e sulmuar me mjete të forta. Përveç dëmeve që i ka shkaktuar në automjet, i dyshuari e ka kërcënuar edhe shoferin e kamionit dhe qytetarët përreth.

Për të mos e lejuar situatën që të përshkallëzohet, dikush e ka njoftuar Policinë, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor. Pas intervistimit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Burimet brenda Prokurorisë thonë se kjo nuk është hera e parë që po ndodhin incidente të tilla në këtë fshat dhe krejt kjo po ndodhë për shkak të një kontesti pronësor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/