Turqia nuk do të mbyllë më kufijtë e saj për refugjatët që duan të shkojnë në Evropë dhe ky vendim duket se është marrë menjëherë pas vrasjes së 33 ushtarëve turq në një sulm ajror në Sirinë. veriore.
Rreth 300 emigrantë, mes të cilëve sirianë, kanë arritur tashmë në provincën Edirne, në kufirin me Greqinë, në përpjekje për të shkuar në Evropë. Një tjetër grup emigrantësh, i mbërritur në brigjet e ajcacikut në Canakkale, në Turqinë perëndimore, po tenton të arrijë ishullin grek Lesbos me barka.
Vrasja e ushtarëve turq në Idlib, pas një sulmi ajror pas të cilit duket se qëndron damasku, çoi në një takim urgjent të kryesuar nga presidenti Erdogan.
Në Turqi, gjenden aktualisht rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë dhe vendi druan se më shumë njerëz do ti drejtohen atij ndërkohë që po rritet pakënaqësia e popullit për prezencën e tyre. Në një seri postimesh në twitter, një ndihmës i Erdogan, akuzoi presidentin sirian Bashar Al Asad se po kryen një spastrim etnik dhe po përpiqet të dëbojë miliona sirianë nga Idlibi.
“Këta njerëz do të përpiqen të shkojnë në Turqi dhe Evropë. Ne aktualisht kemi rreth 4 milionë refugjatë dhe nuk kemi kapacitete dhe mundësi për të pritur edhe një milionë të tjerë”, shkruante ai. Greqia dhe partnerët evropianë druajnë po ashtu një tjetër fluks refugjatësh nga Siria pasi më shumë se një milionë prej tyre kaluan kufijtë e BE në 2015, para një marrëveshjeje mes bllokut dhe Turqisë për ndalimin e tyre. Vendimi i fundit, sidoqoftë, duket se bie ndesh me këtë marrëveshje dhe duket se ka si qëllim që të shtrëngojë BE dhe NATO-n të mbështesë operacionet e reja ushtarake të Ankarasë në Idlib.
E duke patur përshtypjen se mundësia për të lënë Turqinë mund të jetë jetëshkurtër, shumë prej 3.6 milionë sirianëve në vend, kanë nisur të lëvizin shpejt. /Gazeta Sinjali/