Trupi i komandantit ushtarak iranian, Qassem Soleimani, i cili u vra në Irak nga sulmi ushtarak amerikan, u kthye sot në Iran, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve IRIB, transmeton Gazeta Sinjali.
Trupi i Soleimanit u dërgua në qytetin e Ahvaz në Iranin jugperëndimor.
IRIB postoi një videoklip ku shihetarkivoli i mbështjellë me një flamur iranian duke u shkarkuar nga një aeroplan nën shoqërimin e muzikës funebër të lujtur nga ushtarakët.
Mijëra vajtues të veshur me të zeza marshuan nëpër Ahvaz, në pamjet live të transmetuara në TV shtetëror.
Soleimani, arkitekti i operacioneve klandestine dhe ushtarake të jashtme të Teheranit si kryetar i Forcave Quds të Gardës Revolucionare, u vra të premten në një sulm me avionë amerikanë ndaj karvanit të tij në aeroportin e Bagdadit.
Shumë iranianë u mblodhën ditët e fundit për të treguar hidhërimin për vdekjen e Soleimani, e vlerësuar si figura e dytë më e fuqishme e vendit pas liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei. Të tjerët shqetësohen se vdekja e tij mund ta shtyjë vendin drejt luftës me një superfuqi, transmeto Gazeta Sinjali.
Presidenti amerikan Donald Trump të Shtunën kërcënoi se do ta godas sërish Iranin nëse sulmon amerikanët ose pasuritë e SHBA pasi Khamenei premtoi hakmarrje të ashpër dhe shpalli tri ditë zi.
Trupi i udhëheqësit të milicisë irakiane të mbështetur nga Irani Abu Mahdi al-Muhandis, i cili u vra në sulmin amerikan bashkë me Soleimani, gjithashtu u dërgua në Ahvaz.
Dhjetëra mijëra njerëz marshuan në Irak të shtunën për të mbajtur zi për Soleimani dhe al-Muhandis, duke brohoritur ‘Vdekje për Amerikën’.
Të shtunën në mbrëmje, një raketë ra brenda Zonës së Gjelbër të fortifikuar fort në Bagdad pranë ambasadës amerikane, një tjetër goditi lagjen e afërt Jadriya dhe dy të tjerë u qëlluan në bazën ajrore Balad në veri të qytetit, por askush nuk u vra, tha ushtria Irakiane në një deklaratë. /Gazeta Sinjali/