Presidenti amerikan Donald Trump ka paguar mbi 5.6 milionë dollarë (rreth 4.8 milionë euro) për shkrimtaren E. Jean Carroll, pas një beteje të gjatë ligjore për akuzat për abuzim seksual dhe shpifje.
Transferimi i shumës prej 5,625,005.48 dollarësh (rreth 4.8 milionë euro), që përfshin dëmshpërblimin dhe interesat, u konfirmua në dokumentet gjyqësore pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara refuzoi kërkesën e Trumpit për ta shqyrtuar rastin.
Avokatët e Carroll konfirmuan se paratë janë transferuar dhe thanë se ajo do t’i përdorë për financimin e pensionit të saj, raporton CNN, transmeton Sinjali.
Çështja lidhet me një vendim të një jurie në vitin 2023, e cila e shpalli Trumpin përgjegjës për abuzim seksual dhe shpifje ndaj Carrollit, duke i dhënë asaj 5 milionë dollarë (rreth 4.3 milionë euro) dëmshpërblim.
Në një proces tjetër për deklarata shpifëse të Trumpit, një juri tjetër vendosi që ai t’i paguajë Carrollit edhe 83 milionë dollarë (rreth 71 milionë euro) dëmshpërblim.
Trump ka mohuar akuzat dhe vazhdon betejën ligjore, duke kërkuar që Gjykata Supreme të shqyrtojë argumentet e tij lidhur me imunitetin presidencial.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!