Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se “katër republikanë të këqij” i bashkuan forcat me demokratët për të miratuar një rezolutë “të pakuptimtë” për kufizimin e kompetencave të tij rreth luftës.
Dhoma e Përfaqësuesve, në të cilën shumicën e ulëseve i ka Partia Republikane e presidentit, votoi për bllokimin e kompetencës së Trumpit për vazhdimin e luftës kundër Iranit, duke e pasqyruar shqetësimin në rritje në mesin e anëtarëve të partisë së tij për konfliktin tremujor, raporton gazeta “The Guardian”.
Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 215 vota “për” e 208 “kundër” rezolutës. Katër republikanë u bashkuan me demokratët për ta mbështetur rezolutën, me të cilën Trumpi udhëzohet që t’i tërheqë trupat amerikane nga Irani, përpos nëse Kongresi shpall luftë ose e autorizon përdorimin e forcës ushtarake.
“Dje, në një votim të pakuptimtë, Dhoma [e Përfaqësuesve] votoi, katër republikanë të këqij dhe të gjithë demokratët, për t’i kufizuar kompetencat e mia të luftës, mu në mes të bisedimeve të mia përfundimtare për t’i dhënë fund luftës me Republikën Islamike të Iranit. Kush do të bënte një gjë të tillë jopatriotike? Ata e dinë se ku qëndrojnë bisedimet” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjetin “Truth Social”.
Sipas tij, “demokratët më parë do ta pranonin dështimin e vendit tonë sesa të më jepnin mua një fitore tjetër prej shumë fitoreve”, ndërsa për katër republikanët që e mbështetën rezolutën tha se “duhet të kenë turp nga vetja”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!