Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha se SHBA-të do të nënshkruajnë një marrëveshje për t’i shitur ushtrisë së Indisë helikopterë amerikanë dhe pajisje të tjera ushtarake.
Këtë ai e tha gjatë vizitës që ia bëri Indisë, ku u prit nga kryeministri indian, Narendra Modi.
Të dy udhëheqësit shkuan në stadiumin më të madh në botë të kriketit, ku ishin mbledhur më shumë se 100 mijë njerëz për të përshëndetur presidentin amerikan.
Trump filloi fjalimin me përshëndetjen indiane “Namaste”, që do të thotë përkulem para jush dhe tha se India “gjithmonë do të ketë një hapësirë të veçantë në zemrat tona”.
Ai vlerësoi Modin, marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë dhe tha se kishte plane për një marrëveshje tregtare mes dy vendeve.
“Jam i kënaqur t’ju njoftoj se nesër përfaqësuesit tanë do të nënshkruajnë një marrëveshje për tui shitur forcave të armatosura indiane helikopterë ushtarakë më të sofistikuar dhe pajisje të tjera me vlerë mbi tre miliardë dollarë”, citohet të ketë thënë Trump./Gazeta Sinjali/