Ish-presidenti i ShBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje ligjvënësve amerikanë që t’i japin përparësi financimit për sigurinë e shkollave në vend të dërgimit të ndihmës ushtarake në Ukrainë, raporton BBC.
Duke folur në një konferencë pro armëve, Trump vuri në dyshim se si ShBA ka 40 miliardë dollarë për të dërguar në Ukrainë, por nuk mund të sigurojë sigurinë në shkolla.
Takimi i Shoqatës Kombëtare të Pushkëve, organizata më e madhe e pronarëve të armëve në ShBA, po zhvillohet në Hjuston.
Ndërhyrja vjen disa ditë pasi 21 persona humbën jetën nga të shtënat në një shkollë në Teksas.
“Përpara se të ndërtojmë kombin në pjesën tjetër të botës, ne duhet të ndërtojmë shkolla të sigurta për fëmijët tanë në vendin tonë”, tha Trump në fjalimin e së premtes, duke marrë duartrokitje të forta.
“Shpenzuam trilionë dollarë në Irak dhe Afganistan dhe nuk morëm asgjë mbrapsht”, shtoi Trump teksa mirëpriste duartrokitjet e publikut.
Në fillim të këtij muaji, Kongresi Amerikan votoi me shumicë dërrmuese për dërgimin e gati 40 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake për Ukrainën. Në total, ligjvënësit amerikanë kanë dërguar rreth 54 miliardë dollarë në Ukrainë që nga pushtimi i Rusisë në shkurt.