image Trump shkruan se sa i jashtëzakonshëm është Grenell në punën e tij për SHBA-në

Botë

Deklaratë/ Trump shkruan se sa i jashtëzakonshëm është Grenell në punën e tij për SHBA-në

news image

Presidenti Trump ka emëruar të mërkurën ambasadorin amerikan në Gjermani Richard Grenell si Drejtor në detyrë të Zbulimit Kombëtar. Trump ka shkruar në rrjetin e tij social në Twitter, ku është shprehur se “Grenell e ka përfaqësuar jashtëzakonisht mirë SHBA-në”.

“Jam i kënaqur të njoftoj se Ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, @RichardGrenell, do të bëhet Drejtor në Detyrë i Zbulimit Kombëtar.” “Rick (Richard Grenell) ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të,” shkruan Presidenti Trump në Twitter.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Zërit të Amerikës se ai do të vazhdojë të mbajë edhe postin e Ambasadorit në Gjermani. Richard Grenell është i dërguar i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi. Presidenti e bëri njoftimin të mërkurën vonë në Twitter, pak orë pasi lajmi u bë i ditur nga disa media amerikane.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e nohura prej të cilave është CIA.

Ambasadori Grenell njihet si përkrahës i fortë i Presidentit Trump. Posti i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar duhet të konfirmohet nga Senati.

Nuk është e qartë nëse Ambasadori Grenell do të marrë miratimin për t’u konfirmuar në këtë post, pasi shumë senatorë kanë shprehur rezerva për shkak të punës së tij në Gjermani./ Gazeta Sinjali/