image Trump për dialogun Kosovë-Serbi: Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga ShBA-ja nuk duhet të braktisen

Politikë

Trump për dialogun Kosovë-Serbi: Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga ShBA-ja nuk duhet të braktisen

news image

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në deklaratën e tij të lëshuar për vizitën e të dërguarit të tij, Richard Grenell në Kosovë, ka përmendur edhe marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga administrata e tij.

Sipas tij, këto marrëveshje janë historike dhe nuk duhet të braktisen. Trump thotë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë kapërcyer pengesa të mëdha në ndjekje të normalizimit ekonomik.

 “Populli i mrekullueshëm i Serbisë dhe Kosovës ka kapërcyer pengesa të mëdha në ndjekje të normalizimit të tyre ekonomik. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata ime janë historike dhe nuk duhet të braktisen, shumë jetë janë në pikëpyetje. Rajoni është shumë i rëndësishëm dhe njerëzit kanë pritur shumë gjatë që kjo punë të lihet mënjanë”, thotë Trump në deklaratën e publikuar nga drejtori për komunikim i Trumpit, Taylor Budowich.

Ai thotë se Richard Grenell e vizitoi kufirin Kosovë – Serbi pikërisht për ta theksuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë.

“Sot, i dërguari im ambasadori Rich Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për të theksuar këtë marrëveshje të rëndësishme. Ashtu siç dëshmuam në Lindjen e Mesme me Marrëveshjet e Abrahamit, paqja dhe normalizimi ekonomik është i mundur, por kërkon një përpjekje të sinqertë dhe udhëheqje të palëkundur. Paqja është e mundshme, mos u dorëzo – prosperiteti afatgjatë për këto dy kombe është në pikëpyetje!”, thuhet në deklaratën e ish-presidentit Trump. /Gazeta Sinjali/