Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot se thirrjet e Kongresit për shkarkim dhe paditje janë “absolutisht qesharake” teksa shtoi se ato shkaktojnë zemërim të madh, ndërsa refuzoi përgjegjësinë për turmën që bastisi Kongresin javën që shkoi, shkruan Gazeta Sinjali.
Në komentet e tij të para publike që prej revoltës së mbështetësve të tij, Trump denoncoi përpjekjet e demokratëve për largimin e tij nga zyra.
Ai e quante zhvillimin ‘gjuetia më e madhe e shtrigave në histori’. Trump foli me gazetarët teksa merrte helikopterin presidencial për në Texas, ku do të inspektojë murin në kufirin me Meksikën.
Sot pasdite pritet që Kongresi të nisë procesin sipas të cilit i bëhet thirrje zv. presidentit Mike Pence që me Amendamentin e 25-të të shkarkojë presidentin, çka pritet të refuzohet nga Pence.
Kur u pyet nëse do të jepte dorëheqjen, presidenti Trump nuk u përgjigj por vetëm tha: Unë nuk dëshiroj dhunë.
Kaosi i javës së shkuar në Kongres shkaktoi vdekjen e katër protestuesve dhe të një oficeri policie, dhjetëra të plagosur dhe dëme të shumta në ndërtesën e Capitol.
Demokratët kanë refuzuar pretendimet e Trump se sulmuesit e Kongresit ishin agjitatorë të majtë.