Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, vazhdon të luftojë hetimin e demokratëve për shkarkimin e tij.
Sipas gazetës “The Washington Post”, tashmë ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian ka vendosur të dëshmojë në Kongres, ku po hetohet nëse është bërë presion ndaj Ukrainës për të hetuar ish-Nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e tij.
Në “Samitin e Votuesve të Vlerave” që mbledh çdo vit organizata të shumta konservatore, Trump u tha votuesve evangjelistë se nuk ua ka frikën për asgjë demokratëve.
“Hetim për shkarkim… Nuk e kisha menduar kurrë se do t‘i dëgjoja apo shikoja këto fjalë në lidhje me mua”, tha ai.
Në një shkëmbim mesazhesh të datës 9 shtator, tashmë pjesë e materialeve hetimore, diplomati më i lartë amerikan në Ukrainë, William Taylor, duket se ngre pikëpyetje ndaj përpjekjeve të administratës Trump për t’i bërë presion Ukrainës që të hetojë ish-Nënpresidentin Joe Biden, duke pezulluar rreth 400 milionë dollarë të ndihmës ushtarake amerikane.
Në mesazhin e dërguar nga diplomati amerikan William Taylor thuhet se “mendoj se është çmenduri të tërheqim asistencën për sigurinë në shkëmbim të ndihmës me fushatën elektorale”. Katër orë më vonë, ambasadori amerikan në BE, Gordon Sondland, u përgjigj me mesazhin: “Presidenti ka qenë tepër i qartë; asnjë shkëmbim favoresh të asnjë lloji” dhe sugjeroi që ta vazhdojnë këtë bisedë jo nëpërmjet telefonit.
Trump vazhdon të këmbëngulë se nuk pati shkëmbim favoresh.
“Informatori tha ‘quid pro quo’ tetë herë. Është pak larg të vërtetës. Nuk pati asnjë herë”, tha ai.
Por, sipas gazetës “The Washington Post”, ambasadori Sondland do t’i thotë Kongresit se nuk ka informacion nëse kjo është e vërtetë dhe se sidoqoftë kjo gjuhë i është diktuar drejtpërdrejt nga Trump gjatë një telefonate. Ambasadori Sondland është përgatitur t’u thotë hetuesve se për muaj të tërë, ai pati vepruar bazuar në udhëzimet personale të avokatit të Presidenit, Rudy Giuliani.
Të shtunën Trump e mbrojti Giulianin gjatë një telefonate me kanalin “Fox News”, duke thënë se “ai është një burrë që godet korrupsionin dhe çfarëdo që të bëjë, unë e di që ai është një njeri i respektuar”.