Të dërguarit e posaçëm të Francës, Gjermanisë e Italisë, përmes një deklarate të përbashkët thanë se e mirëpresin sinjalin e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me rastin e pranimit të marrëveshjes së 27 shkurtit.
Emmanuel Bonne, Jens Plotner e Francesco Tolo i bënë thirrje Serbisë se ajo duhet të pajtohet me faktin se Kosova është një vend fqinj dhe që ka perspektivën e vet evropiane dhe vendin e vet në bashkësinë ndërkombëtare.
“Koha nuk është në favorin tonë. Dhe çka është më e rëndësishme, ajo nuk është as në anën e Kosovës e as të Serbisë. Duhet të jemi në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë, të vetëdijshëm për këtë momentum. Dështimi do të kishte pasoja”, thanë Bonne, Plotner e Tolo, transmeton Klankosova.tv.
Treshja evropiane i kërkoi Kosovës që t’i përmbushë detyrimet e saj për mbrojtje të komunitetit serb, përfshirë ndërmarrjen e hapave për të krijuar një asociacion të komunave me shumicë serbe dhe të garantojë një mbrojtje të nivelit të lartë të objekteve të trashëgimisë fetare e kulturore serbe.
“Ajo që të dyja palët duhet të shmangin është të riinterpretojnë fjalën e dhënë, sepse duke vepruar kështu do të shpërdoronin këtë mundësi unike dhe do të rrezikonin një bllokim në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, thanë treshja evropiane në një kolumne të përbashkët.