image Tre persona të dënuar gabimisht në SHBA lirohen pas 36 vjetësh

Botë

Tre persona të dënuar gabimisht në SHBA lirohen pas 36 vjetësh

news image

Tre persona të dënuar gabimisht në Merillend të Shteteve të Bashkuara, u liruan pas 36 vjetësh në burg.

Alfred Chestnut, Andrew Stewart dhe Ransom Watkins u dënuan me burgim të përjetshëm në vitin 1984 për vrasjen e një djali 14 vjeç.

Ata u liruan pasi gjykatësi rishikoi rastin e tyre. Rasti u rihap muaj më parë, kur Chestnut u dërgoi një letër autoriteteve në qytetin Baltimore, në të cilën përfshiu prova që i zbuloi vitin e kaluar.

Chestnut, Stewart dhe Watkins u arrestuan si adoleshentë në nëntor të vitit 1983, pas vrasjes së Dewitt Duckett, i cili u qëllua në qafë në një shkollë të mesme në Baltimore.

Këto ishin të shtënat e para fatale në një shkollë publike të Baltimores.

“Këta tre burra u dënuan si fëmijë për shkak të shkeljeve që ka bërë policia dhe prokuroria”, tha prokurorja e shtetit në Baltimore, Marilyn Mosby, pas lirimit të tyre.

Prokurorët thanë se gjatë hetimeve fillestare, policia i injoroi raportet nga dëshmitarë të shumëfishtë që e identifikuan një person tjetër si vrasës.

“Nuk mendoj se kjo sot është një fitore, është një tragjedi. Dhe ne duhet të mbajmë përgjegjësinë tonë për të”, tha prokurorja Mosby. /Gazeta Sinjali/