Qytetarët po presin me muaj për t’u pajisur me dokumentin identifikues për shkak të mungesës së materialit për prodhimin e letërnjoftimeve.
Ministria e Punëve të Brendshme për shkak të mungesës së materialit, ka marrë vendim që të gjithë shtetasve të Kosovës, pavarësisht afatit të skadimit të letërnjoftimit, dokumenti identifikues t’iu konsiderohet i vlefshëm edhe për gjashtë muaj.
Pavarësisht kësaj, qytetarët kanë ankesa të shumta për kohën e gjatë që duhet të presin për t’u pajisur me letërnjoftim.
Ka nga ata që letërnjoftimi u nevojitet për udhëtim, e mungesa e materialit po ua pamundëson një gjë të tillë.
Qytetari Rafet Makolli, i cili ka aplikuar për letërnjoftim, thotë se përkundër mungesës së materialit, interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me këtë dokument është i madh.
“Sot na u dashtë me prit në radhë për aplikim për letërnjoftim diku 40 minuta përafërsisht, mirëpo na duhet me prit 3 muaj sepse material nuk ka. Nuk është e sigurt 3 muaj, mundet të vazhdojë edhe më shumë”, thotë ai.
Ai tregon se dokumenti identifikues po i duhet, veç tjerash, edhe për udhëtim, e në mungesë të tij, thotë se po ndjehet i pasigurt për të marrë rrugë.
“S’jemi të sigurt të udhëtoj vetëm me fletën-aplikuese pasi vetëm i ka skaduar afati letërnjoftimit”, thotë ai për KP.
Lidhur me këtë çështje, Ministria e Punëve të Brendshme, nuk ka kthyer përgjigje. /GazetaSinjali/