Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka folur për projektet, të cilat janë duke u zhvilluar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë përmes Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Në një postim në Facebook, ambasada ka bërë të ditur se projekti i fundit në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut është duke u zhvilluar, me aktivitete të hartimit dhe dokumentimit në vazhdim.
“Projekti ynë Dresnik AFCP u zgjodh si një nga gjashtë projektet nga i gjithë rajoni i Evropës dhe Euroazisë, dhe një nga vetëm 28 projektet e përzgjedhura në mbarë botën”, shkruan ambasada.
Projekti Dresnik AFCP përkrahet bashkërisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zbatohet nga CHwB Kosova.
Ndryshe, qe nga viti 2005, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka mbështetur 22 projekte të trashëgimisë kulturore dhe të ruajtjes në mbarë Kosovën, me një vlerë totale prej afro 3.5 milionë dollarë.