image Transporti në Kosovë numëron mbi 50 milionë euro humbje si pasojë e pandemisë

Kosovë

Pandemia/ Transporti në Kosovë numëron mbi 50 milionë euro humbje si pasojë e pandemisë

news image

Për shkak të masave shtrënguese të cilat janë marrë dy muaj më parë nga Qeveria në detyrë për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, sektori transportit të udhëtarëve sikur shumë sektorë të tjerë ka pësuar humbje të mëdha.

Kryetari i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj po kërkon nga Qeveria në detyrë lehtësim të masave për transportin e udhëtarëve pasi është kërkesë e kompanive transportuese dhe të udhëtarëve.

Kreu i kësaj shoqate ka deklaruar se ka marrë ankesa nga shumë kompani që në rast se nuk fillon puna e kompanive të tyre do të protestojnë, meqenëse humbjet në këtë sektor janë shumë të mëdha.

Kurtishaj po ashtu ka thënë se vetëm në transportin me autobusë janë mbi 10 mijë të punësuar, ndërsa dëmet e shkaktuara nga pandemia deri tash janë rreth 50 milionë euro.

“Kjo kërkesë vjen nga qytetarët e Kosovës dhe nga operatorët e transportit rrugor nga gjithë territori i Kosovës, të cilët për çdo ditë bëjnë thirrje te unë si kryetar i shoqatës që te kemi një takim me ta. Kërkojmë nga institucionet shtetërore që të bëhet e mundur hapja apo rifillimi i punës në sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve. Për këtë qëllim ne më 15 maj kemi caktuar edhe takimin me Shoqatën e Transportit Rrugor të Udhëtarëve, ku janë të ftuar edhe nga Ministria e Infrastrukturës, me të vetmin qëllim për të parë se deri ku kanë mbërri masat për fillimin e punës në sektorin e transportit rrugor me autobus dhe në anën tjetër, nëse nuk është e mundur sigurisht që Këshilli Drejtues i Shoqatës është ai i cili merr vendime për hapat e mëtutjeshme sa i përket protestës për transportin rrugor”, deklaron Kurtishaj.

Kryetari kësaj shoqate nuk e kanë ende ndonjë datë se kur do të mund të rifillojnë punë, por sipas tij të gjitha kompanitë kanë pësuar shumë, sepse mjetet e tyre i kanë investuar në autobusë dhe riparime.

“Sektori i transportit rrugor i udhëtarëve ka humbje të mëdha, duke pasur parasysh se janë mbi 2 mijë autobusë të cilët janë jashtë vendeve të tyre të punës, gjithashtu janë mbi 500 biznese të cilat nuk janë duke ushtruar veprimtarinë e tyre edhe pas lehtësimit të masave nga COVID-19, pra bëhet fjalë për një humbje mbi 50 milionë euro deri më tash. Meqenëse akoma nuk kemi të dhëna të sakta, por sigurisht që kjo do të jetë e mundur pasi të bëhet një analizë e mirëfilltë nga të gjithë operatorët dhe të shihen për së afërmi pasojat e shkaktuara nga Covid-19”, deklaron Kurtishaj.

Sektori i transporti, turizmit, hotelerisë është një sektor që ka të punësuar mbi 35 mijë qytetarë në sektorin privat. Ndryshe, sektori i transportit të udhëtarëve urban dhe ndër-urban ishte ndaluar në mars për masat parandaluese të përhapjes së koronavirusit./GazetaSinjali/