image Transporti i të vdekurve nga COVID-19 është ndërprerë, MSH-ja i mbetet borxh kompanisë mbi 100 mijë euro

Kosovë

Transporti i të vdekurve nga COVID-19 është ndërprerë, MSH-ja i mbetet borxh kompanisë mbi 100 mijë euro

news image

Ministria e Shëndetësisë ende nuk e ka kryer borxhin prej më shumë se 100 mijë eurove ndaj kompanisë “Loti”, e cila ishte kontraktuar për të kryer transportin e viktimave nga COVID-19. Për shkak të mospagesës kjo kompani ka ndërprerë të entjen gjitha shërbimet, shkruan Gazeta Sinjali.

Kontrata në bazë të së cilës kjo kompani ka kryer shërbimet funerale është caktuar pas një marrëveshje të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Kështu ka bërë të ditur, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

“Brenda institucioneve lejohet shfrytëzimi i kontratave, nëse një dikaster i shtetit nuk e ka një të tillë. Kontrata jonë është e lidhur kryesisht me natyrën e punës tonë. Ish-drejtoi i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, komiteti i emergjencave dhe Ministria e Shëndetësisë kanë kërkuar që të përdoret kjo kontratë. Ju kam treguar që mund të përdoret por që nuk kemi mjete të ndara për shërbime të tilla. Ministria e Shëndetësisë duhet ta përfundojë pagesën ndaj kompanisë “Loti”. Ne kontratën nuk mund ta ndryshojmë, ata e kanë kërkuar dhe e kanë shfrytëzuar. Më pas kanë thënë që kontrata të ndryshohet. Por këto vendime janë të ngutshme. Për mua është e palogjikshme kjo sepse kontratat mund të bëhen fleksibile në rast të krizave”, ka thënë Gërxhaliu për Gazetën Sinjali.

Gërxhaliu po ashtu tregoi se nuk ka informacione nëse ministria ka lidhur marrëveshje me kompani të tjera, por tha se i ka parë disa vetura të cilat po i transportojnë viktimat nga koronavirusi.

“Nuk e di a e kanë kontraktuar dikë, por i kam parë disa vetura të tjera që po vijnë për t’i marrë të vdekurit nga koronavirusi në Klinikën e Mjekësisë Sportive”, tha tutje Gërxhaliu.

Ndërkaq Bashkim Kameri, pronar i kompanisë “Loti”, ka thënë se borxhi nuk është kryer as sot.

“Sot i kemi dorëzuar faturat te përmbaruesi dhe po presim që ministria ta kryej borxhin. Nga ministria kanë thënë se pagesa do të kryhet në momentin që i pranojnë faturat. Borxhi është mbi 100 mijë euro për 352 intervenime”, ka thënë Kameri.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti në lidhje me këtë çështje, por ai nuk është përgjigjur. /GazetaSinjali/