image Transformimi i jetës së të burgosurve, kolegj falas për ta në SHBA

Botë

Transformimi i jetës së të burgosurve, kolegj falas për ta në SHBA

news image

Departamenti i Korrektimit dhe Rehabilitimit në Kaliforni kishte 200 studentë të regjistruar në programet e diplomës bachelor këtë pranverë dhe ka bashkëpunuar me tetë universitete në të gjithë shtetin. Qëllimi, thotë sekretari i shtypit i CDCR-së, Terri Hardy është transformimi i jetës së të burgosurve përmes edukimit

Të diplomuarit u rreshtuan, me disa prej tyre që kujdeseshin për xhufkën e kapelës së diplomimit të shokëve të klasës. Derisa vazhdonte marshimi i ceremonisë së diplomimit, 85 burrat u përcollën me brohoritje nga familjet e tyre. Ata marshuan në skenën e vendosur në hapësirën e rrethuar me tela me gjemba dhe e ndërtuar nga të burgosurit. Sepse këta nuk ishin të diplomuar të zakonshëm.

Veshja e tyre e zezë e diplomimit thuajse fshehu uniformat e burgut, teksa merrnin diploma kolegji, diploma të shkollës së mesme dhe certifikata profesionale të fituara gjatë kohës që shërbenin.

Mijëra të burgosur në të gjithë Shtetet e Bashkuara i marrin diplomat e tyre të kolegjit pas grilave, shumica prej tyre të paguara nga programi federal Pell Grant, i cili u ofron studentëve më në nevojë ndihmë për shkollim që ata nuk duhet ta paguajnë.

Ky program do të zgjerohet në mënyrë eksponenciale muajin e ardhshëm, duke u dhënë rreth 30 mijë studentëve të tjerë pas grilave afro 130 milionë dollarë ndihmë financiare në vit.

Rregullat e reja, të cilat zhvleftësojnë një ndalim të vitit 1994 për Grantet Pell për të burgosurit, fillojnë të trajtojnë dekada të politikave gjatë periudhës “të ashpër ndaj krimit” të viteve 1970-2000 që solli burgosje masive dhe pabarazi të theksuara racore në popullsinë 1.9 milionëshe të burgjeve të vendit.

Mundësia e “artë”

Për të burgosurit që marrin diplomën e tyre të kolegjit, përfshirë ata në Burgun Shtetëror Folsom që morën grante gjatë një periudhe eksperimentale që filloi në vitin 2016, mund të jetë ndryshimi midis ecjes së lirë me një jetë përpara dhe përfundimit prapa grilave. Gjetja e një pune është e vështirë me një dënim penal, andaj një diplomë kolegji është një avantazh për të cilin kanë nevojë dëshpërimisht ish-të burgosurit.

Gerald Massey, një nga 11 studentët e Folsomit që u diplomua me një diplomë në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në Sacramento, ka vuajtur nëntë vjet nga 15 vjet burgim, pasi voziti në gjendje të dehur e që për pasojë aksidentoi për vdekje mikun e tij të ngushtë.

“Ditën e fundit që fola me të, ai më thoshte, duhet të kthehesha në kolegj”, ka theksuar Massey. “Kështu që kur hyra në burg dhe pashë një mundësi për të shkuar në kolegj, e përdora atë”.

Kushton rreth 20 mijë dollarë për të edukuar një të burgosur me një program bachelor përmes Projektit të Transformimit të Rezultateve në Sacramento State, ose TOPSS.

Nëse një i burgosur lirohet me kusht me një diplomë, nuk bën kurrë një vepër penale, merr një punë duke fituar një rrogë të mirë dhe paguan taksa, atëherë zgjerimi i arsimit në burg nuk duhet të jetë shitje e vështirë, ka theksuar David Zuckerman, drejtori i përkohshëm i projektit.

“Unë do të thosha se ky është investimi është më i mirë se çdo gjë në të cilën kam investuar ndonjëherë”, është shprehur Zuckerman.

Kjo nuk do të thotë se mund të ndodhë gjithmonë. Përdorimi i parave të taksapaguesve për t’u ndihmuar qytetarëve që kanë shkelur ligjin, që ta kryejnë kolegjin, mund të jetë i diskutueshëm.

Image

Zhdukja e programeve ndër vite

Në vitet ‘90 normat e burgimit për afro-amerikanë dhe hispanikë u trefishuan midis viteve 1970 dhe 2000. Norma u dyfishua për amerikanët e bardhë në të njëjtën periudhë kohore.

Ndalimi i Granteve Pell për të burgosurit bëri që qindra programe kolegje – në burg që ekzistonin në vitet 1970 dhe 1980 të zhdukeshin pothuajse tërësisht nga fundi i viteve nëntëdhjetë.

Kongresi votoi për heqjen e ndalimit në vitin 2020, dhe që atëherë rreth 200 programe të kolegjit të pranueshëm për Pell në 48 shtete, Uashington DC dhe Puerto Rico janë duke u zhvilluar, si ai në Folsom. Tani, portat do të hapen, duke lejuar çdo kolegj që dëshiron të përdorë fondet e Pell Grant për t’u shërbyer studentëve të burgosur për të aplikuar dhe, nëse miratohet, të nisë programin e tyre.

Presidenti Joe Biden ka mbështetur fuqimisht dhënien e Granteve Pell për të burgosurit në vitet e fundit.

Është një kthesë – Akti i Kontrollit të Krimit të Dhunshëm dhe Zbatimit të Ligjit i vitit 1994, i mbështetur nga ish-senatori i Delawaret, ishte ajo që i ndaloi të burgosurit të merrnin Grantet Pell në radhë të parë. Biden ka thënë që atëherë se nuk ishte dakord me atë pjesë të legjislacionit të kompromisit.

Departamenti i Korrektimit dhe Rehabilitimit në Kaliforni kishte 200 studentë të regjistruar në programet e diplomës bachelor këtë pranverë dhe ka bashkëpunuar me tetë universitete në të gjithë shtetin. Qëllimi, thotë sekretari i shtypit i CDCR-së, Terri Hardy është transformimi i jetës së të burgosurve përmes edukimit.

Përveç studentëve të veshur me bluza të burgut, klasat brenda burgut Folsom duken dhe ndjehen si çdo klasë kolegji. Instruktorët u japin studentëve të burgosur të njëjtat detyra si nxënësve në kampus.

Nxënësit në klasat e Burgut Folsom vijnë nga shumë prejardhje të ndryshme. Ata janë afro-amerikanë, të bardhë, hispanikë, të rinj, të moshës së mesme dhe të moshuar.

Një fillim i ri

Massey, i cili mori diplomën e tij në fushën e komunikimit, është me origjinë nga Azia Jugore. I lindur në San Francisko nga prindër që emigruan në SHBA nga Pakistani, Massey kujton se u rrit duke u ndjerë si i huaj. Megjithëse shumica e njerëzve të prejardhjes së tij janë myslimanë, anëtarët e familjes së tij i përkisnin një komuniteti të vogël të krishterë në Karaçi.

Në shkollën fillore, ai ishte objektiv i ngacmuesve. Si adoleshent, ai kujtoi se kërkonte pranim nga njerëzit e gabuar. Kur përfundoi shkollën e mesme, Massey iu bashkua Forcave Ajrore.

“Pas 11 shtatorit, u pranova te Forcat Ajrore dhe disa njerëz menduan se isha një terrorist që po përpiqej të depërtoja”, ka treguar ai. “Më shqetësonte vërtet ky fakt. Kështu që kur dola nga ushtria, nuk doja të bëja asgjë me ta”.

Massey u regjistrua në kolegj pas një viti në ushtri, por e braktisi. Më vonë, ai u bë një asistent i certifikuar në infermieri dhe e mbajti punën për 10 vjet. Ai u martua dhe pati dy fëmijë.

Varësia e tij ndaj alkoolit dhe një zakon i marihuanës e rrëzuan atë që kishte ndërtuar deri atë kohë në jetë.

“Unë jetoja si fëmijë i vogël dhe kisha fëmijët e mi të vegjël”, tregon Massey. “Dhe mendova nëse bëj minimumin, është në rregull”.

Burgu e detyroi të merrte përgjegjësinë për veprimet e tij. Ai u përqendrua, kërkoi rehabilitim për alkoolizmin dhe rifilloi ndjekjen e arsimimit. Ai punoi edhe me berberin e burgut për të fituar para.

Mes prerjeve të flokëve për oficerët korrektues dhe stafin tjetër të burgut, Massey përfitoi nga qasja e tij në lidhjen WiFi për të studiuar, për të marrë teste dhe për të punuar në detyra. Shërbimi i internetit nuk arrin tek banesat e të burgosurve.

Në ditën e ceremonisë, Massey ishte i fundit nga shokët e tij të klasës që veshi kapelën dhe mantelin e diplomimit. Ai ishte anëtar i gardës së nderit të ceremonisë – uniforma e tij e burgut ishte e zbukuruar me një kordon të gërshetuar dekorativ që tregonte shërbimin e tij ushtarak.

“Është arritje e madhe”, ka thënë Massey. “Ndiej, sinqerisht, se Zoti hapi dyert dhe unë sapo kalova nëpër to”.

Massey pati aty nënën, gruan dhe vajzën e tij për një përqafim festiv të shumëpritur. Ai rezervoi përqafimin më të gjatë dhe më të ngushtë për vajzën e tij 9-vjeçare, Grace.

“Ka shumë aspekte dhe gjëra të ndryshme që mund të ndodhin kur je i burgosur, por kjo e mbajti atë të fokusuar në qëllimet e tij”, tha gruaja e Masseyt, Jacq’lene. “Pasja e burimeve dhe aftësisë për të marrë pjesë në programe të tilla e ndihmoi me të vërtetë atë, por në fakt na ndihmon edhe ne”.

“Ekziston efekti domino – është mirë që fëmijët tanë ta shohin këtë. Është mirë për mua ta shoh këtë”, është shprehur ajo.

Përveç diplomës së tij të komunikimit, Massey fitoi diploma në teologji dhe studime biblike. Opsionet e tij pas lirimit filluan të materializohen përpara diplomimit. Komisionerët shtetërorë e konsideruan atë të përshtatshëm për lirim me kusht. Një grup jofitimprurës që ndihmon veteranët ushtarakë të burgosur u takua me të në maj për të ngritur strehimin, ushqimin, veshjen dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor për rihyrjen e tij eventuale.

Më 3 korrik, një ditë para Ditës së Pavarësisë, Massey doli nga muret e granitit, eci përtej kullës së gjelbër prej bakri të burgut shtetëror Old Folsom, në krahët e të dashurve.

Programet e kolegjit në burg nuk janë të përkryera. Shumë burgje mezi kanë hapësirë të mjaftueshme për të akomoduar ato pak programe arsimore dhe rehabilituese që ekzistojnë tashmë. Burgjet do të duhet të kuptojnë se si të krijojnë hapësirë dhe të marrin teknologjinë për t’i ndihmuar studentët të kenë sukses.