Pas barazimit 1-1 me Republikën Çeke në Pragë, Kombëtarja shqiptare do të luajë një tjetër sfidë të rëndësishme nesër ndaj Polonisë në stadiumin ‘Air Albania’, duke nisur nga ora 20:45, takim i vlefshëm për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo do të kërkojnë tre pikët nesër në Tiranë ndaj skuadrës së drejtuar nga tekniku Fernando Santos.
Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, trajneri Silvinjo dhe mesfushori Ylber Ramadani dolën sot në një konferencë për media, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve shqiptarë dhe atyre polakë.
Trajneri Silvinjo u shpreh se pret nga skuadra që ai drejton të ketë sjelljen e duhur në fushë, të japë shpirtin dhe zemrën dhe së bashku me mbështetjen e tifozëve shqiptarë të arrijnë të marrin tre pikët.
Trajneri i Kombëtares shqiptare vlerësoi skuadrën polake dhe tha se Shqipëria del në fushë nesër me lojtarë teknikisht të fortë.
“Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka, por sigurisht mendoj që ndeshja e nesërme nuk do të ketë diçka ndryshe për ne sepse ne i përgatisim të gjitha ndeshjet njësoj. Që në daljen time të parë kam thënë që dua të shoh një skuadër që të japë zemrën dhe ekipin në fushë. Më pas nisi puna menjëherë, organizimi i ekipit, kemi ndjekur lojtarët kudo që kanë qenë, i kemi monitoruar dhe tani vazhdojmë punojmë për të ecur përpara me objektivat tonë. Edhe nesër me Poloninë, mendoj se është e njëjta situatë. Pres që skuadra të ketë sjelljen e duhur në fushë, duke vendosur zemrën dhe shpirtin. Do të kemi një stadium plot më 20 mijë tifozë. Me mbështetjen e popullit shqiptar mund të bëjmë diçka të madhe”, u shpreh Silvinjo.
“Ne do të hyjmë në fushë për të bërë një ndeshje shumë të mirë. Lojtarët përgatiten gjithmonë për fitore, por përballë kemi një kundërshtar që ka gjithashtu objektivat e veta. E rëndësishme është që mos të humbim. Në krahasim me Çekinë, Polonia është ndryshe. Duhet të përgatitemi mirë, por edhe për ne ka limite. Ne duhet të hyjmë në fushë me zemër e shpirt por edhe përgatitesh për ndeshjen. Ata kanë një skuadër të fortë teknikisht me lojtarë të nivelit të lartë, kanë trajner me eksperiencë. Por unë jam i kënaqur me skuadrën në gjysmë të rrugës. Kemi 4 ndeshje. Por edhe Shqipëria del në fushë me lojtarë teknikisht të fortë. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë tërheqëse dhe e bukur për t’u parë, në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Por edhe ne do të hyjmë për të bërë mirë”.
“E kam thënë që para se të nisnim ndeshjet që është grup i vështirë, për shkak të shumë situatave. Ne jemi këtu, 50% e kemi bërë por është ende për të bërë, është e vështirë, presim fundin. Nuk është e lehtë, çdo ndeshje është e vështirë, askush nuk të fal asgjë”.
Silvinjo vlerësoi sulmuesin shqiptar Ernest Muçi dhe sulmuesin e polakëve, Robert Levandovskin.
“Muçin e kemi parë, është i mirë, jemi shumë të kënaqur me të. Ai vendosi ndeshjen ndaj Ishujve Faroe me golin e tij. Ka ardhur me ne edhe më parë. Është një lojtar me ritëm të mirë, shënon, është shumë i mirë. Sot, padyshim kemi Bajramin në formë, një lojtar që po bën shumë mirë, ata konkurrojnë në ndeshje për të luajtur, por pastaj nuk i dihet. Në ndeshje del njëri e ke mundësi. Unë u kam thënë të gjithëve që të 24 janë të rëndësishëm për ne, dikush hyn në lojë për 15 minuta dhe mund të bëjë një gol që të bën të ëndërrosh. Ua kam thënë që në fillim dhe e kanë kuptuar të gjithë. Për mua është e rëndësishme që Muçi e shumë të tjerë e kuptojnë që nuk luajnë ndeshjen por për 10 minuta hyjnë në fushë dhe të ndryshojnë jetën”, vazhdoi trajneri.
Silvinjo tregoi nesë do e sulmojnë nesër Poloninë.
“Mendoj se në një ndeshje mund të shohësh gjithçka, të dy fazat e lojës. Të bësh presing 90 minuta është e pamundur, pastaj është edhe distanca e shkurtër mes ndeshjeve. Do të jetë një ndeshje ku do shihet gjithçka, taktika, loja fizike. Por pjesa që ka rëndësi, është teknika e lojtarëve, e jona dhe e tyre. Ata në fund bëjnë diferencën. Por do të jetë ndeshje intensive, duhet të hysh me zemër, shpirt, me mbështetjen e stadiumi. Do ketë momente për presing por edhe për të pritur, mendoj që nga të dy palët do të jetë kështu”.
Ai foli edhe për pikën e fortë dhe të dobët të Polonisë.
“Historia thotë që kombëtarja polake ka të kaluar të bukur me shumë gjëra, por për pikën e dobët nuk mund ta them. Të gjithë e kanë një, edhe ne, por nuk mund të them atë që mendojmë ne, Por dihet që është një skuadër me lojtarë shumë të mëdhenj, ekip i fortë me një trajner me shumë eksperiencë. Pika e fortë e saj është historia”, përfundoi Silvinjo.