Një rrahje mes katër personave ka ndodhur sonte në një fitnes në rrugën “Adem Jashari” në Gjilan, me ç’rast janë ndalur për 48 orë tre të dyshuar, shkruan Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda prokurorisë kanë bërë të ditur se rrahja ka ndidhur në sallën e fitnesit “Arena” ku fillimisht i dyshuari A.S ka sulmuar personin Flamur Grabovcin, i cili më pas u sulmua edhe dy të dyshuarit e tjerë, B.T dhe A.T.
Mbështetur në burimet e gazetës, bëhet e ditur se viktima është dërguar në Qendrën Emergjente në Gjilan pasi që ka pësuar lëndime trupore në hundë dhe fytyrë.
Te i dyshuari B.T., policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një pistoletë të llojit “SIG” me 8 fishekë dhe 2 mijë e 510 euro të gatshme.
Prandaj, me urdhër të prokurorit është bastisur shtëpia e tij, por aty nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Gazeta Sinjali mëson se Flamur Grabovci, i cili u rrah nga tre të dyshuarit, është trajneri i fitnesit.
Ai ka publikuar një fotografi në Facebook ku shihet i gjakosur.
Grabovci ka thënë se është sulmuar nga tre persona në vendin e punës. Sipas tij, sulmi ka ndodhur vetëm për ta gjunjëzuar dhe për “tekat e tyre”.
“Pas sulmit që pata në vendin e punës nga tre persona shumë të njofshëm që më sulmuan për ‘tekat e tyre’ mora shumë mesazhe nga ju dashamirë, për të kuptuar për shëndetin tim. Jam shëndosh e mirë. Kaloi gjithçka. Edhe pse më sulmuan 3 persona nga 100kg, vetëm me preteksin që të më gjunjëzojnë dhe të bëhen shembull për forcën e tyre dhe të ua kanë frikën sa më shumë njerëzit”, ka thënë ndër të tjera Grabovci.
Tutje, ai ka treguar se rasti është në polici dhe se pret reagim edhe nga kryetari i Komunës.
“Rasti është në dorë të policisë dhe kam besim tek ky institucion. Do të mbaj shpresë edhe në kryetarin e qytetit tim në reagim e tij që të jam shembull qysh duhet të mbrohet njeri në vendin e punës. Sonte m’u ndërpre puna, kërkoj falje gjithë juve klientëve që ju lash duke pritur për të filluar punën”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/