image Trajneri i “Bad News Eagles”: Kualifikimi ishte ndjenjë e papërshkrueshme

Sporte të tjera

Trajneri i “Bad News Eagles”: Kualifikimi ishte ndjenjë e papërshkrueshme

news image

Ekipi nga Kosova “Bad News Eagles” të dielën ka shënuar një sukses historik në sportin elektronik.

Ata kanë arritur të kualifikohen në turneun më të madh në botë të CS:GO “PGL Antwerp Major 2022” që do të mbahet në Belgjikë nga data 9 maj deri më 22 maj.

Për këtë sukses të jashtëzakonshëm ka folur për Klankosova Klesti Kola, trajneri i BNE.

Kola tha se ka qenë ndjenjë e papërshkrueshme, derisa rrëfen se në momentin kur kanë fituar i është rikthyer në kujtesë gjithë historia jetësore.

“Ka qenë ndjenjë e papërshkrueshme. Realizimi i të gjithë punës, të gjithë jetës që nga fillimi e deri më tani. Në atë moment të kujtohen të gjithë kohët e vështira që ke kaluar dhe fiton një lloj krenarie kur e mendon çfarë ke arritur”.

Trajneri  ka treguar se janë përgatitur intensivisht për pjesëmarrjen në këtë garë.

“Përgatitja për këtë kampionat ka filluar që në fund të marsit ku e kemi zhvilluar një përgatitje intensive për këtë qëllim. Bootcamp ka zgjatur rreth katër javë, ku kemi punuar në aspekte të ndryshme të cilat ekipi ka pasur nevojë t’i përmirësojë si për shembull: taktikat, komunikimi dhe mentaliteti”.

Ai shtoi se ekipi ka pasur mbështetje të jashtëzakonshme nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse në garën që u mbajt në Rumani, shtet që nuk e njeh Kosovën si të pavarur.

“Suporti ka qenë në maksimum dhe të gjithë na kanë uruar për t’u kualifikuar. Të gjithë janë surprizuar nga karakteri, shpirti dhe emocionet që tregonim ne si ekip. Bile, ekipe të tjera na shikojnë neve për të përmirësuar aspekte të ndryshme  të cilat neve i bënim më së miri”.

Por, çka synon tash ky ekip pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm?

“Pas kualifikimit në Challenger Stage synimi jonë është të kalojmë në Legends Stage ku mund të sigurojmë ftesën për herë të parë kur mbahet gara Major. Qëllimi jonë parësor ishte kualifikimi për Major, tani synimi tjetër është që të kualifikohemi për Legends Stage, që të marrim ftesën për herën tjetër kur mbahet gara Major”.

“Gjithashtu do të marrim pjesë me datë 28 në Blast Pro dhe në ditët në vazhdim në Esea Advanced, ku kam siguruar një ftesë për këtë sezon”.

/GazetaSinjali/