image Tragjedia në Kanada, ambasada e Kosovës me njoftim të rëndësishëm

Diasporë

Tragjedia në Kanada, ambasada e Kosovës me njoftim të rëndësishëm

news image

Ambasada e Kosovës në Kanada ka njoftuar se shtetasit kosovar që jetojnë në Saskatchewan janë shëndoshe e mirë dhe në vende të sigurta. Një njoftim i tillë nga ambasada vjen pas tragjedisë së mbrëmshme në Saskatchewan.

“Si rezultat i kërkesës mediale në Kosovë dhe komunitetit të diasporës në Kanada e gjetiu, përkitazi me tragjedinë e mbrëmshme në Saskatchewan, njoftojmë opinionin e gjerë se të gjithë bashkatdhetarët tanë në këtë province, janë shëndoshe e mirë dhe në vende të sigurta”, shkruhet në njoftim.

“Duke njoftuar se ne provincën e Saskatchewan jetojnë rreth 50 familje shqiptare, Ambasada e Republikës së Kosovës në Otava, konfirmon se komunikimi me të njëjtët po zhvillohet normalisht, gjersa po përcillet tutje situata e sigurisë në rajonin e Regjinas”, përfundon njoftimi.

Siç është raportuar nga mediumet botërore dy burra dyshohet se kanë sulmuar dhe vrarë me thikë 10 persona dhe kanë plagosur 15 të tjerë në provincën Saskatchewan këtë të dielë.

Policia vendase tashmë ka identifikuar dhe është në kërkim të Damien dhe Myles Sanderson si dy të dyshuarit për vrasjet.

“Marrëdhënia mes të dyshuarve ishte e paqartë. Policia tha se nuk kishte ende asnjë motiv – por burrat supozohej se ishin të armatosur dhe të rrezikshëm”, raportojnë mediat e huaja.

Gjithashtu sipas Policisë e disa nga viktimat ishin shënjestër dhe të tjerët u sulmuan rastësisht.

/GazetaSinjali/