Të paktën 14 fëmijë kanë humbur jetën pasi çatia e një ndërtese pranë qytetit të Lahores u shemb mbi ta, kanë njoftuar autoritetet.
Ngjarja ndodhi në një qendër private mësimore në lagjen Kahna të qytetit pakistanez.
Mes viktimave ka edhe fëmijë nën moshën 10-vjeçare, të cilët u nxorën nga rrënojat pas shembjes së çatisë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes, ndërsa dy persona janë ndaluar si pjesë e hetimeve fillestare, raporton BBC – transmeton Sinjali.
Farooq Ahmed, zëdhënës i shërbimit të emergjencës Rescue 1122, tha për BBC se njoftimi për incidentin është pranuar në orën 16:45 me kohën lokale.
Sipas tij, operacioni i shpëtimit përfundoi brenda një ore dhe shumica e viktimave ishin fëmijë të moshës nga shtatë deri në 11 vjeç.
Po ashtu, raportohet se pesë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Një burrë, i cili tha se mbesa e tij ishte mes viktimave, deklaroi për AFP se çatia e ndërtesës ishte në gjendje të rënduar.
Zaheer, 45 vjeç, tha se në momentin e aksidentit po kryheshin punime riparimi në çati, ndërsa fëmijët ndodheshin në mësim.
“Papritur çatia u shemb mbi një numër të madh fëmijësh. Ata vendosën shumë peshë mbi çati dhe kjo është arsyeja pse ndodhi tragjedia”, u shpreh ai.
Një banor tjetër i zonës i tha agjencisë Associated Press: “Nuk dimë në cilën shtëpi të shkojmë më parë për t’u shprehur ngushëllime familjeve që humbën fëmijët e tyre.”
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave përmes një deklarate të publikuar nga AFP.
Ai tha se lutet për shërimin e shpejtë të të lënduarve dhe u ka kërkuar autoriteteve të ofrojnë të gjithë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Edhe kryeministrja e provincës Punjab, Maryam Nawaz Sharif, e cilësoi ngjarjen si një “tragjedi zemërthyese”.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, ajo tha se “humbja e 14 jetëve të pafajshme është një dhimbje e pamasë dhe zemra ime është me familjet që po përjetojnë këtë pikëllim”.
“Çdo person që do të rezultojë përgjegjës do të përballet me forcën e plotë të ligjit”, shtoi ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!