image Totaj i kundërpërgjigjet Kabashit pas akuzave për shantazh e kërcënime: Janë produkt i imagjinatës së saj

Politikë

Totaj i kundërpërgjigjet Kabashit pas akuzave për shantazh e kërcënime: Janë produkt i imagjinatës së saj

news image

Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit, nga sot do të ketë drejtor të ri. Në krye të saj është emëruar Edmond Hoxha pas dorëheqjes së Vjollca Kabashit nga pozita e kësaj drejtoreshës së kësaj drejtorie. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj gjatë konferencës për media.

Dorëheqja e Kabashit erdhi pasi ajo pretendon se është kërcënuar e shantazhuar nga Totaj.

“Edmond Hoxha i cili e ka një CV shumë të mirë. Është menaxher me përvojë dhe pres që t’ia fillon nesër punës dhe pres një performancë shumë më të mirë. Ka studiu në Vjenë, ka pas pozicione në disa ndërmarrje publike e private”, tha Totaj para gazetarëve.

Kabashi në një deklaratë për Sinjalin kishte thënë se i është drejtuar departamentit të krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës pasi thotë se me shantazhe e kërcënime është detyruar të nënshkruaj për një projekt të jashtëligjshëm.

E për këtë çështje, Totaj tha se nuk ka marrë asnjë thirrje nga Policia pasi pretendon se “gjithçka është ligjore, asgjë s’ka pas të jashtëligjshme”.

Kur u pyet se për çfarë shantazhe dhe kërcënime bëhet fjalë, Totaj tha se “ s’kam ide për çka e ka fjalën drejtoresha”.

Ndërsa shtoi se “pretendimet e Kabashit janë produkt i imagjinatës së saj”.

Ndryshe, kryetari i AAK-së dega në Prizren, Besnik Krasniqi tha për Gazetën Sinjali se kanë pas ankesa ndaj të deleguarës së tyre për shkak të performancës së dobët.

“Edhe ne si parti keni pas vazhdimisht ankesa për performancën e saj të dobët në pozitën që e ka. Kjo ndoshta ka ndodh për shkak të mos përgatitjes së saj profesionale. Edhe kryetari Totaj por edhe ne si parti kemi konstatu që performanca e saj ka qenë shumë e dobët edhe me një analizë që e kemi bërë ka dalë që rreth 2.7 për qind të investimeve kapitale i ka realize këtë muaj gjë që është shumë keq”, u shpreh ai.

Krasniqi tha se në vazhdimësi ia kanë tërhequr vërejtjen Kabashit.

“I kemi kërku vazhdimisht të ndreq performancën, nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë edhe sa i përkët degës së Aleancës, ne jemi në rregull”, tha ai.

Komuna e Prizrenit udhëhiqet nga Partia Demokratikee Kosovës që është në koalicion me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

/GazetaSinjali/