image Tortuara ndaj qytetarit duarlidhur, ngritet aktakuzë kundër komandantit dhe pesë zyrtarëve policorë të stacionit në Gjakovë

Kosovë

Drejtësi/ Tortuara ndaj qytetarit duarlidhur, ngritet aktakuzë kundër komandantit dhe pesë zyrtarëve policorë të stacionit në Gjakovë

news image

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër komandantit të Stacionit të Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe pesë vartësve të tij të dyshuar për përfshirje në këtë rast, kapitenin Bekim Preqi, rreshterin Gëzim Biblekaj, Agron Idrizin, Milot Ukajn dhe Shaban Limanajn.

Komandati Kristë Gjokaj dhe katër nga pesë zyrtarët policorë ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë

Sipas aktakuzës, i pandehuri Kristë Gjokaj, më 14 nëntor 2018, në objektin e stacionit policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi i cili kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur, për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, në atë mënyrë që derisa ishte ulur në karrige, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, derisa nga aty të pandehurin e largon një zyrtar policor.

Gazeta Sinjali kishte publikuar ekskluzivisht videon ku shihej tortura dhe trajtimi çnjerëzor ndaj të dyshuarit duarlidhur brenda stacionit policor.

Sipas aktakuzës, në këtë mënyrë, i pandehuri Kristë Gjokaj, ka kryer veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, nga neni 198 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu,  edhe të pandehurit Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj, kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, ashtu që me qëllim që të nxjerrin informacione, për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale, për të cilat i dëmtuari ka qenë i dyshuar, e sulmojnë fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.

Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, nga neni 198 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Shaban Limanaj.si person përgjegjës në qendrën e ndalimit në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, pasi iu ka mundësuar të pandehurve Milot Ukaj, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari Muhamer Raifi të cilët pastaj e kanë keqtrajtuar duke e sulmuar fizikisht.

 Në këtë mënyrë, i pandehuri Shaban Limanaj.ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndaj këtij rasti ishin deklaruar drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, komandanti i Policisë së rajonit të Gjakovës, Kristë Gjokaj i cili kur ishte pyetur nga Gazeta Sinjali për sulmin kishte thënë se ky është paragjykim

Ndërkohë, EULEX kishte bërë të ditur për Gazetën Sinjali se e ka marr nën mbikëqyrje rastin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor ndaj qytetarit duarlidhur në Stacionin Policor në Gjakovë./Gazeta Sinjali/