Basketbollisti i njohur mitrovicas, Drilon Hajrizi, ka folur rreth qëndrimit të tifo-grupit ‘Torcidat’, të cilët publikisht kanë dalur kundër lojtarit, shkruan Sinjali Sportiv.
Gjatë ditës së djeshme, reprezentuesi i Kosovës nënshkroi me KB Trepçën dhe po rikthehet te skuadra mitrovicase pas shtatë viteve.
I mënjëhershëm ishte edhe reagimi i ‘Torcidave’, të cilët po e kundërshtojnë rikthimin e Hajrizit te Trepça. Madje, tifo-grupi mitrovicas nuk ka pranuar as kërkim faljen e Hajrizit.
Mes tjerash, në reagimin e ‘Torcidave’ thuhej: “Nga sot e tutje do ta kundërshtojme fuqishëm dhe nuk do te marrim përgjegjësi për gjërat që mund të ndodhin.”
‘Torcidave’ i është kundërpërgjigjur vetë basketbollisti, i cili për ‘Sportin në Klan Kosova’ tha se te Trepça është rikthyer që t’i ndihmojë për të arritur sa më lartë, teksa ka ftuar organet kompetente të merren me reagimin e publikuar nga ‘Torcidat’ dhe të vlerësojnë nëse aty ka pasur edhe kërcënim.
Ish-basketbollisti i Pejës, Prishtinës e Bashkimit, gjithashtu tha se nga shumë nëngrupe të ‘Torcidave’ ka përkrahje dhe se rikthimin e tij te Trepça nuk po e duan vetëm disa individë. /Sinjali Sportiv/.