Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se është evidente që vaksinim masiv nuk ka, si dhe sipas tij duhej të vaksinoheshin mbi 30 mijë persona dhe jo vetëm 4000 sa janë duke u vaksinuar, transmeton Gazeta Sinjali.
“Është evidente që vaksina mjaftueshëm nuk ka dhe furnizimi me vaksina ende nuk është bërë në nivelin në të cilin duhet që mandej të jetë i mundur që të bëhet një vaksinim masiv. Për këtë arsye besoj që nuk ka vaksinim masiv”, ka thënë ai.
Tutje ai ka shtuar se terminologjia vaksinim masiv nënkupton një përfshirje më të madhe të njerëzve në pikat e vaksinimi.
“Vetë terminologjia e vaksinimit masiv nënkupton një vaksinim në të cilin do të përfshihet një numër jashtëzakonisht i madh i njerëzve në shumë pika të vaksinimit duke përmbushur një numër i cili do të tejkalonte 30 mijë të vaksinuar në ditë. Ndërsa tash po shohim se janë 4000 vaksinime në ditë”, shtoi ai, shkruan EO.
Tolaj theksoi se variante ka pasur që nga fillimi i pandemisë dhe tashmë është prezent edhe varianti Delta.
Sipas tij, nëse vazhdon që vaksinimi të jetë i mangët, atëherë mundësia e varianteve të reja është e mundur edhe në të ardhmen.
“Variante ka pasur që nga fillimi i disa prej tyre janë bërë mbizotërues në shkaktimin e infeksioneve dhe tash së fundi është edhe varianti Delta. Me siguri që nëse pandemia do të vazhdojë dhe nëse vaksinimi do të jetë i mangët dhe numri i njerëzve të cilët e kanë kaluar infeksionin qoftë në mënyrë të natyrshme ose që kanë krijuar imunitet përmes vaksinimit është më i vogël atëherë edhe mundësia e varianteve të reja është e mundur edhe në të ardhmen”.
“Variantet e reja të cilat eventualisht mund të shfaqen mund edhe të vijnë në Kosovë, por nuk mund të pres që këtu do të ndodhë një valë e re e infeksionit çfarë e kemi pasur më herët. Për të ndërprerë ecurinë e pandemisë është evidente çdo kund në botë që duhet të ekzistojë një komunitet kolektiv i popullatës. Ai imunitet mund të krijohet në dy mënyra duke e kaluar infeksionin në mënyrë të natyrshme ose duke u vaksinuar”.
“…është e rëndësishme vaksinimi masiv edhe ata që e kanë kaluar sepse në këtë mënyre do të arrisin imunitetin. Dhe të gjitha vaksinat që janë duke u përdorur në botë janë të suksesshme. Nëse autoritetet në Kosovë do të jenë të suksesshme me siguruar një sasi shumë më të madhe të vaksinave dhe me mobilizuar potencialet e vaksinimit mundësia për një valë të re është minimale ose nuk ekziston fare në Kosovë”./Gazeta Sinjali/