Vitet e fudnit, Qeveria Botërore e Futbollit është përballur me skandale të shumta, ndërsa së fundmi është përfshirë edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Infantino akuzohet për “shpërdorim të autoritetit”, “nxjerrje të sekretit profesional” dhe “pengim të hetimit”, procedim penal që është firmosur nga Prokurori i Jashtëzakonshëm Federal në Zvicër, Stefan Keller.
Përveç Infantinos, nën hetim është edhe prokurori i parë i kantonit Valais, Rinaldo Arnold.
Akuza ndaj presidentit të FIFA-s vjen menjëherë pas dorëheqjes së Michael Lauber, Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës që ishte në qendër të akuzave për mënyrën sesi e hetoi skandalin e madh “FIFA gate”.
Michael Lauber dhe Infantino janë takuar disa herë në mënyrë sekrete gjatë periudhës së hetimeve, gjë që ka ngritur dyshime mbi integritetin e tyre.
“Si president i FIFA-s, qëllimi im që nga dita e parë ishte dhe mbetet të ndihmoj autoritetet për të hetuar veprat penale të kaluara në FIFA”, ka thënë Gianni Infantino në reagimin e tij.
Ndërkohë, procedimi penal i ka dhënë zë kundërshtarëve më të mëdhenj të tij, të cilët kërkojnë largimin e tij nga posti më i lartë drejtues i futbollit botëror. /Sinjali Sportiv