image “Times”: Vuçiqi – Capone i Ballkanit apo shpresa e vetme për një marrëveshje paqeje për Kosovën?

Rajon

“Times”: Vuçiqi – Capone i Ballkanit apo shpresa e vetme për një marrëveshje paqeje për Kosovën?

news image

Diplomatët amerikanë dhe evropianë e shohin Aleksandar Vuçiqin si figurën e vetme që mund t’i bindë serbët të bashkëjetojnë me Kosovën, prandaj i durojnë fyerjet e tij ndaj Perëndimit, inkurajimin e shovinizmit serb dhe shoqërimin me Vladimir Putinin.

“Shumë po pyesin veten: a do ta blinit paqen në Ballkan nga ky njeri”, shkruan “Times” në një artikull për presidentin serb dhe ndër bashkëbiseduesit e tyre është edhe deputeti i Partisë Demokratike të Serbisë, Sërgjan Milivojeviq, i cili e quan Vuçiqin “një përzierje mes Al Capones dhe Vito Corleones”.

“Vuçiqi nuk është as patriot, as nacionalist, as demokrat, atij i intereson vetëm pushteti i pakufizuar, i pakontrolluar”, ka thënë Milivojeviq.

Vuçiqi kritikohet se është vrasësi i demokracisë në Serbi dhe se është i lidhur me kriminelët, por disa e shohin atë si shpresën e vetme për stabilitet në Ballkan, shkruan “Times” dhe shton se Shtetet e Bashkuara “në një demonstrim të fundit të padurimit” me Vuçiqin ka vendosur nën sanksione Drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës serbe, Aleksandar Vulin.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha gjithashtu se Vulini po ndihmon Rusinë të rrisë ndikimin e saj në Ballkan, gjë që nuk i befasoi aktivistët rusë në Serbi, lëvizja e të cilëve u kufizua nga Beogradi, duke i shpallur ata një kërcënim për sigurinë, sipas gazetës britanike “The Times”.

Redaktori i KRIK-ut (Rrjeti i Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit në Serbi), Stevan Dojçinoviq, foli për gazetën britanike për përvojën e tij me tabloidët në Serbi, duke thënë se ndonjëherë është në faqet e para pesë herë në muaj, me akuza se punon për CIA-n, mafien apo shërbimet e inteligjencës franceze dhe se ai viziton klubet sado-mazohiste.

Alicia Kearns, një deputete britanike e cila kryeson Komisionin e Punëve të Jashtme dhe është nënshkruese e një letre kritike të publikuar së fundmi për Serbinë, thotë se vazhdimisht po thuhet se Vuçiqi është “opsioni i vetëm”, ​​por ai po kërkon kthimin e territorit të humbur.

“Kosova kritikohet, por Serbia nënshkroi një marrëveshje me Rusinë në shtator, dërgoi dy ministra në Moskë në gjashtë muajt e fundit dhe nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, Iranit dhe talebanëve. Pse nuk e kritikuam Serbinë për këtë”, pyeti ajo.

Kearns beson se Vuçiqi nuk është e vetmja “shpresë e Perëndimit” dhe tregon për protestat “Serbia kundër dhunës”, me vlerësimin se në Serbi ka më shumë njerëz që duan stabilitet sesa mendojnë njerëzit.

Ivor Roberts, ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd në periudhën 1994-97, nuk pajtohet me qëndrimin e saj, i cili thotë se “serbët nuk reagojnë ndaj presionit, ata vetëm gërmojnë edhe më shumë”.

“Vuçiqi është shumë më përpara se të gjithë të tjerët dhe vetëm një ëndërrimtar mund të besojë se dikush është në gjendje të zërë vendin e tij”, përfundoi Roberts.

/GazetaSinjali/