image TikTok nën hetime për çështje të privatësisë - Sinjali

TikTok nën hetime për çështje të privatësisë

news image

Aplikacioni i videove TikTok po hetohet nga ana e Komisionit Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC) për dy çështje që lidhen me privatësinë.

DPC është rregullatori kryesor në BE për çështjen e të dhënave personale.

Ky institucion po heton çështjen e përpunimit të të dhënave personale të fëmijëve dhe nëse TikTok vepron në bazë të ligjeve të BE-së sa i takon transferimit të të dhënave personale në vende të tjera, siç është Kina, transmeton BBC.

TikTok ka thënë se çështja e privatësisë është përparësia kryesore e kompanisë.

DPC tha se po hetonte në mënyrë specifike çështjet e lidhura me GDPR.

GDPR është rregullorja e përgjithshme e mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë në Bashkimin Evropian dhe Zonën Ekonomike Evropiane. Kjo rregullore gjithashtu adreson çështjen e transferimit të të dhënave personale jashtë zonës së BE.

Në bazë të këtyre ligjeve të BE-së gjobat ndaj kompanive të teknologjisë në rast të shkeljeve mund të shkojnë deri në 4% të qarkullimit global.

DPC-ja ka thënë se hetimi i parë ka të bëjë me “përpunimin e të dhënave personale për përdoruesit nën moshën 18 vjeç, dhe masat e verifikimit të moshës për personat nën 13 vjeç”.

Ndërsa çështja e dytë që do të shqyrtohet është se sa transparent ka qenë TikTok për mënyrën sesi përpunon të dhëna të tilla.

Kjo nuk është hera e parë që DPC ka hetuar çështje të tilla për aplikacionet.

Në tetor të vitit 2020, rregullatori njoftoi se po hetonte trajtimin e të dhënave personale të fëmijëve nga Instagram, një aplikacion që është në pronësi të kompanisë Facebook.

Aplikacioni Tiktok tashmë është përballur me një veprim të ngjashëm juridik në Mbretërinë e Bashkuar, të kryesuar nga një ish-komisioner për çështjen e të drejtave të fëmijëve.

Hetimi i dytë i shpallur këtë javë paraqet një problem më unik për TikTok.

DPC tha se çështja ka të bëjë me “transferimet e të dhënave personale në Kinë nga ana e TikTok”.

Aplikacioni TikTok është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance dhe është përballur vazhdimisht me akuza se të dhënat e përdoruesve i ndanë me kompanitë kineze, mbase edhe me qeverinë kineze.

Kompania ka mohuar në mënyrë kategorike akuzat.

Në kohën kur president i SHBA-së ishte, Donald Trump, ky aplikacion ishte pothuajse tërësisht i ndaluar në SHBA. Vendimi megjithatë është hedhur poshtë ndërkohë.

Shqetësimi më i thellë nga hetimi i DPC -së është nëse TikTok po i bindet rregullave të BE -së për transferimin e të dhënave në të ashtuquajturat “vende të treta”, për të cilat BE-ja nuk ka dhënë një miratim sa i takon ligjeve të tyre të privatësisë.

Në përpjekje për të shmangur akuzat, TikTok tashmë ka bërë një sërë ndryshimesh në sistemet e tij.

Në janar, kompania vendosi që gjitha llogaritë nën moshën 16-vjeç të jenë private si një përpjekjeje për të përmirësuar sigurinë e fëmijëve në platformë.

Në muajin korrik TikTok ka fshirë miliona llogari për të cilat tha se i përkisnin personave nën 13-vjeç, të cilët nuk do të duhej të lejoheshin fare të përdornin platformën.

Ndërsa në muajin gusht TikTok njoftoi se nuk do të dërgojë njoftime në llogaritë e fëmijëve gjatë periudhave të caktuara të ditës në mënyrë që t’i ndihmojë ata të studiojnë apo të pushojnë.

“Ne kemi zbatuar politika dhe kontrolle të gjera për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve. Ne synojmë të bashkëpunojmë plotësisht me DPC”, tha TikTok përmes një deklarate.

Komisioni Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave ka një rol kryesor në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me të dhënave persona nga kompanitë e mëdha të teknologjisë në botë, raporton REL.

Në Irlandë janë të vendosura selitë evropiane të kompanive TikTok, Facebook dhe Google.

Ndaj këtij rregullatori ka pasur kritika për një qasje të dobët ndaj zbatimit të rregulloreve.

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin