Katër persona të maskuar mbrëmë kanë thyer me mjete të forta derën e shitores së armëve “Target”, në rrugën “Haqif Tetova”, në Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.
Pronari i këtij lokali, SH.Z., tha për Gazetën Sinjali se rasti ka ndodhur rreth orës 03:00 dhe se nga lokali i tij hajnat kanë arritur të vjedhin sasi të mëdha të armëve të gjata dhe të shkurta.
Lajmin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Nga kjo prokurori thanë se kanë kanë filluar hetimet rreth këtij rasti dhe se deri më tani nuk ka ende persona të dyshuar, e as të arrestuar.
Gazeta Sinjali mëson se nga lokali janë vjedhur 20 copë armë të shkurta – pistoleta të llojeve të ndryshme, 1 pushkë gjysmë-automatike dhe 2 pushkë të gjata të llojit “Mossberg” të kalibrit 7.62 x 59.
Pasi e kanë kryer vjedhjen, ata janë larguar në drejtim të panjohur me një veturë Golf V, ngjyrë hiri./Gazeta Sinjali/