image Thirrje që dialogu me Serbinë të jetë prioritet i Qeverisë Kurti

Politikë

Thirrje që dialogu me Serbinë të jetë prioritet i Qeverisë Kurti

news image

Çështja e dialogut me Serbinë duhet të jetë prioriteti i parë i Qeverisë Kurti, thotë drejtori i Institutit “EPIK”, Demush Shasha.

Shasha thotë që dialogu patjetër që është një ndër prioritetet e ndërkombëtarëve dhe se nga kjo duhet kuptuar që sa më parë që mbyllen të gjitha çështjet me Serbinë aq më mirë është për vendin.

Po konsideroj se neve vet duhet të kuptojmë që dialogu është dhe duhet të jetë prioritet. Sa më parë që ne të mbyllim të gjitha çështjet për Serbinë aq më mirë për neve. Në të gjitha letrat urimi nga gjithë liderët botërorë është përmendur specifikisht çështja e dialogut Kosovë-Serbi, prandaj patjetër që mund të konfirmojmë se është prioritet i ndërkombëtarëve”, tha Shasha.

Ai konsideron që Kosova duhet të ketë një strategji dhe platformë të veten e cila mund të tregojë synimet dhe vijat e kuqe, por edhe që shpjegon qartë pozicionin e Kosovës në kuadër të dialogut.

“Institucionet e vendit duhet të kenë një strategji, një platformë e cila tregon synimet tona, vijat e kuqe dhe tregon se si do të organizohet procesi negociator, pra duhet të jetë një dokument i cili shpjegon pozicionin tonë në kuadër të dialogut. Në anën tjetër po ashtu duhet njohur një realitet, qoftë nëse kthehemi në Rambuje, e pastaj në Vjenë apo 10 vite dialog në Bruksel, ti e kupton që asnjë nga këto momente Kosova nuk ka pasur një platformë apo strategji, sepse pozicioni i Kosovës ka qenë identik me pozicionin e partnerëve ndërkombëtar, prandaj mendoj që qëndrimi duhet të jetë i njëjtë sikur me atë të ndërkombëtarëve, dhe ai është zgjidhja e të gjitha çështjeve të hapura me Serbinë, njohja e realitetit nga ana e Serbisë, dhe përfundimisht integrimi i të dy vendeve në NATO, dhe njohja e Kosovës nga Serbia”, theksoi ai për ekonomiaonline.

Respektimi i marrëveshjeve që janë negociuar deri më tani nuk mund të rishikohen më, thotë ai, pasi ato duhet vetëm të zbatohen dhe si të tilla ato duhet të gjejnë zbatueshmëri të plotë.

“Nuk mendoj që është e mundur që të gjitha marrëveshjet që janë dakorduar të zbatohen, nuk mund të rishikohen, mund të ketë diskutim për metodën e saktë për mënyrën e zbatimit të tyre, por të gjitha marrëveshjet që janë negociuar deri më sot në Bruksel duhet të zbatohen sepse janë marrëveshje që kanë status të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe si të tilla ato patjetër që kanë vetëm një rrugë dhe ajo është rrugë përpara dhe zbatimi i tyre i plotë”, përfundoi ai.

Kujtojmë se dje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti këto politike opozitare në Kuvendin e Kosovës, thanë se procesin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta përcjellin me kujdes, por nuk thonë nëse zyrtarët e tyre do të jenë pjesë e delegacionit.

Dje, Arben Gashi nga LDK-ja tha për Sinjalin se është e gatshme të debatojë rreth dialogut, dhe nuk do të veprojë njëjtë si Kurti i cili sipas tij, kur ishte në opozitë nuk bashkëpunoi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha ditë më parë se Kosova do të marrë pjesë në procesin e dialogut me Serbinë, që u paralajmërua se do të rifillojë në muajin qershor.

Ai ka paralajmëruar në Bruksel më 29 prill, se në muajin maj, do të ketë takime me përfaqësuesit e opozitës për të pasur qëndrimet e tyre.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011, me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012, kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

/Gazeta Sinjali/