Presidenti Hashim Thaçi, përmes zyrës për informim të Presidencës i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit lidhur me deklaratat paralajmëruese të këtij të fundit pë ekipet negociatore për dialog me Serbinë.
Presidenca thotë se Kurti nuk është konsultuar paraprakisht me Thaçin për këtë çështje dhe sipas këtij institucioni kryeministri është duke e shkelur hierarkinë kushtetuese, shkruan Gazeta Sinjali.
“Meqë dje dhe sot kishte shumë pyetje drejtuar Zyrës së Presidentit lidhur me Ekipin Negociator të proklamuar nga kryeministri i shkarkuar, Zyra për Informim e Presidentit të Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar, se kryeministri në largim nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme”.
“Kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është kryeministër në largim i një qeverie në largim. Ai përveç që nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme, me këtë qasje është duke e shkelur edhe hierarkinë kushtetuese”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Tutje, Presidenca ia ka kujtuar kurtit se është i shkarkuar dhe sipas tyre nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Kosovë.
“Kryeministri i shkarkuar është i delegjitimuar nga votat e shumicës absolute të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës dhe nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe as në emër të një qeverie në largim”.
Lista e delegacionit të propozuar nga Kurti, sipas Presidencër “mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë”. /Gazeta Sinjali/