Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dje filloi konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj qeverisë.
Gjatë ditës së mërkure, Thaçi priti në takime të ndara kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në dorëheqje, Albin Kurtin, kryetarin e LDK-së, njëherësh ish-kryeministrin, Isa Mustafa, si dhe kryetarin e PDK-së, njëherësh ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.
Kreu i shtetit ka pyetur liderët politikë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19.
Presidenti Thaçi do të vazhdojë konsultimet me partitë tjera parlamentare edhe sot.
Ai do të pres në takim kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kreun e Nismës, Fatmir Limaj, kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq si dhe përfaqësues të grupit parlamentar të 6+.
Pasi të përfundojë konsultimet me partitë politike, presidenti thotë se do të ndërmarrë hapa në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi, duke marrë parasysh përvojën dhe procedurat gjegjëse të deritashme, por edhe duke marrë parasysh vullnetin politik të shprehur nga partitë politike. /Gazeta Sinjali/